Azerbajxhani feston me entuziazëm të madh fundin e pushtimit armen (Video)

Shpërndaje

Azerbajxhanasit po festojnë nëpër sheshet e vendit nënshkrimin e komunikatës që i jep fund pushtimit armen në Karabakun Malor.

Qytetarët azerbajxhanas vërshuan nëpër rrugë pasi Presidenti Ilham Aliyev njoftoi marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e Rusisë, e cila nënkupton fitore për Azerbajxhanin dhe humbje për Armeninë, si dhe u kërkon forcave armene që t’i dorëzojnë rrethet Kalbajar deri më 15 nëntor, Agdam deri më 20 nëntor dhe Lachin deri më 1 dhjetor.

Kryeqyteti Baku u bë skenë e festimeve entuziaste. Mijëra kryeqytetas festuan me brohoritma duke mbushur rrugët e sheshet me flamuj të Azerbajxhanit dhe Turqisë.

Shumë festuan dhe përgëzuan njëri-tjetrin duke kërcyer e kënduar, të tjerë dolën shëtitje me makina në rrugët e qyteteve.

Në këto festime nuk munguan as lotët e gëzimit dhe as marshet patriotike.

Tubime festive të mëdha për çlirimin e zonave nën pushtimin armen prej gati 30 vitesh u mbajtën gjithashtu në Ganxha (Ganja), qyteti i dytë më i madh i Azerbajxhanit.

Qindra qytetarë, të cilët valëvisnin flamurin azerbajxhanas dhe atë turk, u mblodhën në Sheshin e Lirisë (Azadlıq Meydanı) dhe që atje marshuan drejt Monumentit të Haydar Aliyevit duke hedhur slogane si “Dëshmorët nuk vdesin, atdheu nuk copëtohet!”, “Karabaku është e do të jetë i yni!”, “Rroftë Ushtria e Azerbajxhanit!” dhe “O nën dëshmori, mbaje kokën lartë!”.

Populli vazhdoi të festojë për orë të tëra këtu./trt.net.tr