Gjykata Speciale ua mundëson ish-udhëheqësve të UÇK-së të festojnë sonte në paraburgim

Shpërndaje

Figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtaret të Kosovës po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë të Holandës. Ata që udhëhoqën luftën për liri dhe pavarësi, sonte do të mund të mblidhen për ta festuar ndërrimin e vitit, duke i lënë për pak qelitë e tyre ku secili qëndron i vetmuar.

Gjykata Speciale, që i akuzon ata për krime lufte e krime kundër njerëzimit, do t’ua mundësojë ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së që ta festojnë Vitin e Ri. Kështu është shprehur për Express të enjten, zyrtarja për informimim e këtij institucioni, Angela Griep.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të komentojmë për ndonjë veprimtari specifike që të paraburgosurit ndërmarrin në institucionin e paraburgimit. Në përgjithësi, Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit e Dhomave të Specializuara siguron mirëqenien e të burgosurve në një mjedis të sigurt dhe të qetë. Të paraburgosurve sigurisht do t’u sigurohet mundësia për ta festuar Vitin e Ri në përputhje me Rregullat dhe Rregulloret e institucionit të paraburgimit”, tha Griep.

Motiv shtesë për të festuar do të jetë ditëlindja e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili pas orës 00:00 do ta ketë përvjetorin e 70 të lindjes së tij.

Shtatë të akuzuarit e parë të Speciales, pesë prej të cilëve me aktakuzë të konfirmuar, po mbahen ende në paraburgim, pasi pothuajse secilit prej tyre i është refuzuar kërkesa që të mbrohen në liri.