Përfaqësues nga Kosova e Serbia monitorojnë gërmimet në Kizhevak (Foto)

Shpërndaje

Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Kosovës ka vizituar sot lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Serbisë.

Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli, dhe ai i delegacionit të Serbisë, Veljko Odaloviq, kanë monitoruar nga afër gërmimet në këtë pjesë.

Në Kizhevak afër Rashkës në Serbi janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës. Besohet se këtu mund të jenë 7 deri në 20 mbetje mortore.

Duke filluar që nga fundi i muajit nëntor që kur është zbuluar kjo varrezë masive, me ndihmën e fotografimeve të Kryqit të Kuq, atje kanë qëndruar edhe mjekë nga Kosova të cilat kanë marrë pjesë gjatë procesit të zhvarrimit të mbetjeve mortore, raporton Ekonomia Online.

Në këtë vend vazhdojnë kërkimet që nga viti 2015.

Që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

Ekipi i Ekonomia sjell pamjet nga vendi i ngjarjes.