Nëse respektohen masat, orari i punës së lokaleve do të zgjatet deri në 21:00

Shpërndaje

Objektet hotelierike do të kthehen në orarin e punës deri në orën 21, nëse gjendja epidemiologjike mbetet stabile siç është aktualisht. Këtë e njoftoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në programin e mëngjesit në TVM, por duke mos saktësuar se kur pritet të hyjë në fuqi vendimi për rikthimin e orarit paraprak të lokaleve.

“Konkretisht do të them që objektet hotilerike do të kthehen me orarë pune deri në orën 21:00, por kjo do të jetë tani për tani. Ende jemi duke monitoruar situatën si do të zhvillohet dhe sipas analizës në të ardhmen do të vendosim nëse do të ketë ulje shtesë të kufizimeve”

Në këtë emision, ministri Filipçe ka paralajmëruar edhe punësimin e specializantëve privat në institucionet publike shëndetësore.

“Me specializantët privat kishim disa takime, dhamë premtim. Siguruar mjete financiare për rreth 250 specializantë që të punësohen në institucionet publike shëndetësore, me qëllim që ardhmërinë ta shohin këtu, në vendin e tyre”

Filipçe ka folur edhe për vaksinat kundër virusit korona, duke thënë se ata janë të sigurta dhe kanë kaluar një sërë kontrollesh të rrepta nga organizmat ndërkombëtarë të shëndetësisë. Ai poashtu ka zbuluar se nga hulumtimi që kanë realizuar nëpër institucionet shëndetësore, 60 përqind e punonjësve shëndetësor kanë pranuar të marrin vaksinën kundër virusit Kovid19./SHENJA/