Kurti uron Abdixhikun: Nga ana ime, vullneti e korrektësia për bashkëpunim nuk do të mungojë asnjëherë

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar Lumir Abdixhikun, i cili sot u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kurti përmes një postimi në Facebook, u shpreh i gatshëm për bashkëpunim në interes të vendit, siç tha ai “në përputhje me verdiktin që qytetarët dhanë në zgjedhjet e 14 shkurtit”.

“Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë. Nga ana ime, vullneti e korrektësia për bashkëpunim në interes të vendit e në përputhje me verdiktin që qytetarët dhanë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të mungojë asnjëherë”, shkruan ndwr tw tjera Kurti.

Ndryshe, delegatët e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, kanë zgjedhur sot për kryetar të ri të këtij subjekti, Lumir Abdixhikun.

Abdixhiku ka arritur të marrë mbi 190 vota nga 329 delegatë që kanë votuar, duke arritur të zgjidhet kryetar qysh në raundin e parë.

Në garë për këtë post ishin edhe Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa. Haziri ka marrë 117 vota, kurse Mustafa vetëm 16.

Postimi i plotë:

Dëshiroj të uroj punë të mbarë për z. Lumir Abdixhiku, i cili është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së.

Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë.

Nga ana ime, vullneti e korrektësia për bashkëpunim në interes të vendit e në përputhje me verdiktin që qytetarët dhanë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të mungojë asnjëherë.

Të gjithë mund të japim shumë për Kosovën, e askush askujt nuk mundet më t’ia mohojë këtë të drejtë.