Rama e mbyll fushatën nga Vlora (Video)

Shpërndaje

Në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në Vlorë, kryeministri Edi Rama i tha Presidentit Ilir Meta se nuk ka “parë asgjë akoma”, një shprehje e përdorur kundër opozitës pasi erdhi në pushtet në vitin 2013.

“Unë sot e kuptova që nga Vlora nuk kam parë gjë akoma. Unë sot ju kërkoj ju që jeni këtu dhe të gjithë atyre që para se të jenë socialistë, demokratë, të majtë, të djathtë, të kënaqur, të pakënaqur, janë vlonjatë, që të dielën t’i tregojnë tërë Shqipërisë dhe sidomos atij turpi kombëtar që quhet President, që nuk ka parë gjë akoma.

Më pyeti një ditë Damiani, më tha ore na mbeti Likja në Vlorë, i thash është ajo puna e derës së xhamisë, ka shkuar te dera e xhamisë dhe në 25 prill Vlora do ja lërë përgjithmonë historisë, atë, Saliun, Lulin, Monikën dhe tërë paçavuret që na janë qepur mbrapa 30 vite.

Nëse na jepni 9 mandate do të bëjmë 12 herë më shumë për Vlorën” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka mbyllur fushatën elektorale nga qyteti i VLorës. Përveç mijëra mbështetësve Rama ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda dhe tre fëmijët. Në mbyllje të takimit, fjalën e mori edhe i vogli i familjes, Zaho. “Unë e dua Vlorën”- tha Zaho. “Të gjithë e duan Vlorën”- shtoi Kryeministri.