Tërhiqet propozim-ligji për legalizim, presioni i opinionit publik dha rezultate

Shpërndaje

Nën presionin e opinionit publik, Qeveria vendosi ta tërheqë propozim-ligjin për legalizim të ndërtimeve pa leje, i cili është në procedurë parlamentare. Siç dihet, ky propozim-ligj kaloi në Kuvend, por Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski refuzoi ta nënshkruaj dekretin. Qeveria menjëherë e ktheu në shtëpinë ligjvënëse, por paralajmëroi se do të organizojë debat publik.

Në njoftimin që e pranoi Qeveria, thuhet se gjatë periudhës së fundit, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka organizuar takime pune me përfaqësues të odave dhe shoqatave nga sfera e ndërtimtarisë dhe urbanizmit dhe me përfaqësues të sektorit civil. Mes të tjerësh, shkruan se Ministria ka marrë pjesë në debate publike të organizuara nga subjekte të tjera, ku janë dhënë vërejtje lidhur me disa zgjidhje ligjore dhe propozime për rregullimin e tyre.

Kryeministri Zaev thotë se në ligjin në fjalë, janë hequr ndërtesat kolektive dhe objektet e kategorive me rrezik social. Por, siç shton, tashmë ka ardhur koha që të regjistrohen rrugët lokale, përmendoret e kulturës, objektet e energjetikës, çerdhet, shkollat, spitalet…

“Në vetë ligjin janë gjetur zgjidhje për qytetarët që janë nën nivelin e varfërisë dhe nuk kishin të holla që me zgjidhjen e mëparshme ligjore t’i legalizojnë shtëpitë dhe objektet e tyre. Tani të gjithë marrësit e ndihmës sociale këtë do ta mund ta bëjnë falas, kurse në të njëjtën kohë do ta legalizojmë edhe infrastrukturën shtetërore”, tha Zaevi.

Sipas ministrit, jo të gjithë persona që janë në kategorinë e grupeve me rrezik social do të mund t’i legalizojnë objektet. Objektet që janë ndërtuar sipas PDU-së së komunave, nuk mund të vendosen në kornizë, edhe nëse bëhet fjalë për persona të kategorive me rrezik social, tha Boçvarski.

“Ne do të sjellim ligj i cili do të jetë edhe më konstruktiv. Shpresoj se do të dakordohemi me të gjitha partitë politike në Kuvend, njëkohësisht edhe me sektorin joqeveritar, i cili do të jetë i pranueshëm për qytetarët. Menjëherë pas kësaj, të gjithë qytetarët që i plotësojnë kushtet, do të mund të aplikojnë në komunat amë që objektet e tyre të vendosen në kornizë juridike”, tha Boçvarski.

Kryeministri mendon se një ligj i këtillë do t’i plotësonte pritshmëritë e qytetarëve, megjithatë mbeten parimet që ta dëgjojnë edhe opinionin publik. Në lidhje me propozim ligjin për legalizimin e objekteve pa leje, reaguan anëtarët e Komisionit antikorrupsion, organizatat joqeveritare, arkitektët dhe ekspertët juridikë.