Kur Shqipëria përzë bijtë e saj!

Shpërndaje

Shkruan: Silvana Begaj

“Qëllimi arsimit është të zëvendësojë një mendje bosh, me një të hapur.” – Malcolm Forbes

Lamtumirë Shqipëri po të thotë Rinia! Rinia e ëndrrave dhe shpresave. Ata janë mushkëria! Ata janë ndryshimi! Aty fillon një ëndërr, dhe një ëndërr do një territor o Shqipëria ime e vjedhur dhe e plackitur nën petkun e paaftësisë dhe tradhëtisë! Do vendin ku është lindur dhe është rritur,

Lamtumirë o Shqipëria ime po të thonë! Të vetmen zgjidhje të ofrojnë dhe kokën mënjanë po ta lënë duke të venitur bukuritë.

E zemërimi dhe zhgënjimi i të pafajshmëve po të vret. Vret më shumë se këto politika stolisur me injorancë. Këto politika që shuajnë dhe ndezin ëndrrat. Zhgënjimi i rinisë që po sjell shuarjen e një kombi.

O Shqipëria e nostalgjisë dhe fëmijërisë sime! Shqipëria e ambicieve, e mallit, e dy deteve, kodrave, liqeneve, lumenjve maleve…Shqipëria ime, juaj, fëmijëve tanë dhe e vazhdimësisë së një vendi me diell! Shqipëria ku duhet të marrin jetë ëndrrat tona. Të kanë zënë shkëlqimin ata që krihen nën luksin e pushtetit, ata që kanë shkopat magjik të fateve tona.

Shqipëria që po ngelet një ëndërr! Shqipëria e historisë së vjedhur! Shqipëria e tradhëtisë, e bukurisë,trimërisë dhe bujarisë, duke u udhëhequr nga parajsa e demonëve! Shqipëria e fëmijërisë sime, Shqipëria që lejon të vriten shpresat nën dritën e diellit.

Lamtumirë Shqipëri, po të thonë se ke futur në një rreth vicioz degradues arsimin! Po ushqen të rinjtë me mllefe, alergji dijesh me anë të politikave të veshura me frymën e arrogancës kur në botë trumbetojnë ndryshime dhe zhvillime të paimagjinuara në jetën ekonomiko shoqërore.

Lamtumirë Shqipëri po të thonë të rinjtë që me pasion kthejnë ëndrrat në realitet dhe bëjnë yjet të ndricojnë shpresë dhe ngrohtësi perfeksioni.

Në vendin tim, në vendin tënd do ngelen vetëm disa prindër dhe gjyshër me kokë nga perëndimi sikur kjo gjë do ti afrojë me fëmijët në emigrim sepse cekani i pushtetit iu syrgjynosi ëndrrat. Do ngelen cakajtë që nuk do iu duhet as errësirë më që të bëjnë batërdi!

Prandaj Rini! Mos thoni Lamtumirë Shqipëri!Por, në dorën tuaj të fuqishme e plot dritë merrni fatin e Atdheut tonë! Digjeni barin e e thatë të ligësisë dhe shkulni nga rrënjët paaftësinë, vjetërsinë!

Shqipëria është në duart tuaja, e prandaj luftoni si ju ka hije! Si burim i shpresës, si agimi një të ardhmeje të ndritur.

Ju jeni forca! Ju jeni e ardhmja! Ju jeni drita e hënës dhe diellit. Ju jeni vazhdimësia e historisë së humbur në legjendat e një kombi . Ju jeni ndryshimi! Ju jeni historia!

Sot, unë dua të jem Ju!