Borrell takon liderët e Ballkanit Perëndimor në New York, flasin për situatën në rajon

Shpërndaje

Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell ka shtuar mbrëmë një darkë informale për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në New York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas një njoftimi nga BE-ja, thuhet se Borrell dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor patën shkëmbime të pikëpamjeve mbi situatën në rajon dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Ky ishte takimi i dytë i tillë i organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë, pas darkës joformale në Bruksel në maj. Përfaqësuesi i Lartë dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor patën një shkëmbim të hapur mbi situatën në rajon dhe marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, gjithashtu në dritën e Samitit të ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet në muajin e ardhshëm. Ai siguroi një mundësi për të diskutuar pritjet për anëtarësimin në BE. Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi nevojën për një angazhim të fortë si nga partnerët e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare për të kapërcyer dinamikat aktuale dhe për të çuar procesin përpara”, thuhet në njoftim.

Pjesëmarrës në takim ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ai i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Zhelko Komshiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, si dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq. /Telegrafi/