AS datë, AS zgjedhje e AS opozitë

Shpërndaje

Partia qeverisëse Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) vendosi të dielën në Ohër të heqë nga tavolina variantin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe t’i rreket rikonstruktimit të qeverisë.

Kryeministri Zoran Zaev tha se nuk do të ketë zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe as nuk do t’ia kthejë mandatin e kryeministrit, siç kishte paralajmëruar nëse vendi nuk merr datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Garancia e kancelares gjermane Angela Merkel se Bundestagu do të mbështesë rekomandimin e KE për Maqedoninë e Veriut sikur i dha krahë Zaevit të mos rrezikojë me zgjedhjet që nuk dihet nëse do t’i fitonte.

Mungesën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk e kritikoi aq shumë VMRO-DPMNE e Hristian Mickovskit në opozitë, e as edhe opozita shqiptare – AA e Ziadin Selës dhe BESA e Bilall Kasamit.

Tani, Zaev thotë se do të ketë riformatim të kabinetit qeveritar dhe atë në tetë poste ministrash. Po ashtu do të ketë ndryshime të zëvendës-ministrave dhe rreth njëzet drejtorë të ndërmarrjeve publike.

Kreu i qeverisë në Shkup pret që deri të premten t’ia dorëzojë parlamentit listën me emrat e rinjë dhe në fillim të javës së ardhëshme të votohet riformatimi i kabinetit.

Me këtë, siç raporton Zëri i Amerikës, Zaev lë të kuptohet se nuk do të bisedojë më me Bashkimin Demokratik për Integrim meqë, sipas të gjitha gjasave kanë rënë dakord tashmë. Partia shqiptare drejton pesë sektorë në qeveri: Ministrinë e Arsimit, të Ekonomisë, Ambientit jetësor, si dhe Sekretariatin për çështje evropiane e Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kjo e fundit është kthyer në ministri për sistem politik dhe sipas njoftimeve brenda partive qeveritare, do të vazhdojë të drejtohet nga një kuadr i BDI-së.

Sipas pritjeve, tek përfaqësuesit e BDI-së në qeveri nuk do të ketë ndryshime të mëdha, përveç kalimit të ministrit të Ambientit jetësor tek ministria e re për Sistem politik dhe ardhjes së një ministri të ri në krye të Ambientit jetësor. Për këtë është përfolur emri i Naser Nuredinit nga Vjena, për të cilin thuhet se nuk e njeh mirë as shqipen dhe aspak maqedonishten, por se do të komunikonte në anglisht me kabinetin qeveritar.

Për zotin Nuredini, i cili është dajli i një biznesmeni të njohur me prejardhje nga rrethina e Tetovës në Vjenë të Austrisë dhe dhëndër i akademikut Abdylmenaf Bexheti, nuk kanë folur publikisht as LSDM-ja e zotit Zaev e as BDI-ja e zotit Ahmeti.

Për riformatimin e qeverisë mjaftojnë 61 vota në parlament, të cilat i kanë LSDM-ja me BDI-në dhe dy partitë tjera më të vogla po ashtu partnere të koalicionit qeveritar, Alternativa dhe Rilindja Demokratike Kombëtare.

Ndërkohë, të hënën po shënohet një vjetori i Marrëveshjes së Prespës në mes Shkupit dhe Athinës që i dha fund problemeve afro 30 vjeçare lidhur me emrin Maqedoni. Marrëveshja e cila u quajt historike dhe u mbështet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evroian, ndryshoi emrin e fqinjit më të vogël në Maqedonia e Veriut duke hapur rrugën e anëtarësimit në NATO dhe afrimit në BE. Por, opozita maqedonase vazhdon ta quajë të dëmshme marrëveshjen sepse “ka prekur identitein kombëtar dhe historinë e popullit maqedonas”, sipas saj.

Nga ana tjetër, Marrëveshja duket se ka dobësuar pozitat e partisë në pushtetin grek, Syriza të Kryeministrit Alexis Tsipras dhe ai do të pësojë humbje në zgjedhjet e pritshme në Greqi, sipas analistëve./KDP (Klubi i Debatit/ Politik)