Kosovarët paguajnë deri në katër milionë euro në vit për homologimin e veturave

Shpërndaje

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme për monopolin në homologimin e automjeteve. Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku si inicues i seancës tha se për homologimin qytetarët e Kosovës dijnë shumë pak, shkruan lajmi.net. Sipas tij qytetarët e Kosovës çdo vit paguajnë rreth katër milionë euro për homologimin e veturave, andaj edhe duhet të ndryshohet udhëzimi administrativ.

“Nuk është dhënë asnjë analizë si janë dhënë këto çmime prej 100 euro për vetura, 150 për rimorkio e 200 euro për kamionë. Në aspektin financiar homologimi dhe mbikëqyrja arrin shumën deri në katër milionë euro që paguajnë qytetarët për çdo vit”, ka thënë Zharku. Zharku foli edhe për deklaratat e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, lidhur me atë se faji qëndron tek Ligji për Automjete. Sipas tij, këto deklarata janë për keqardhje dhe se një ministër nuk mund të ankohet për infrastrukturën ligjore. Debati po vazhdon edhe më tutje teksa deputetët kanë cilësuar se nëse një veturë e kryen procesin e homologimit jashtë Kosovës, është e padrejtë që kjo të bëhet edhe në Kosovë.