Me udhëheqës qorra të politikës , një popull i tërë mund të përfundojë në humnerë

Shpërndaje

Shkruan: Prof. Abdulla MEHMETI

Një ushtri më e vogël përballë një ushtrie më të madhe mund ta fitojë betejën jo vetëm në saje të rrethanave dhe fatit, por kur atë e dominon me vlera të tjera në fushën e betejës, me:

– prijësit më të shkathtë; – strategji të përkryer; – prapavijë të organizuar në mënyrë perfekte; – cilësi dhe moral më të lartë. Kjo vlen edhe në betejat për arritjen e qëllimeve të një lëvizje politike.

Çfarë mund të presin shqiptarët në Maqedoni, përderisa:
– numerikisht janë më pak se të tjerët; – udhëheqësit i kanë më të dobët dhe të korruptuar se të tjerët;
– program politik unik dhe adekuat nuk kanë; – nuk përpiqen të krijojnë strategji afatgjatë; – kuadrin e përzgjedhin vetëm nga radhët e partive të tyre, duke bërë seleksionim negativ; – kur përgatitja morale e kuadrit drejtuaes varet vetëm nga interesi dhe përqindja e fitimit nga tenderët e ndarë nga pushteti, të cilin pretendojnë ta ndryshojnë.

Nga një lëvizje politike (partitë) e cila vepron në këto rrethana dhe nuk pretendon t’i ndryshojë këto parametra, nuk ka pse të priten rezultate pozitive prej saj.

Lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoni, për të mirën e popullit dhe qytetarëve që i përfaqëson, në interes edhe të shtetit ku vepron, si dhe për lehtësimin e veprimeve qëllimmira të faktorit ndërkombëtar, përfundimisht ka nevojë për:
– udhëheqës të rinj dhe më të aftë se ata që kanë qenë deri më sot; – platformë politike unike, efikase dhe gjithpërfshirëse; – strategji afatgjatë për realizimin e sigurt të qëllimeve të përcaktuara; – mobilizim të gjithë potencilait fizik, mendor dhe financiar, jo mbi baza partiake, por kombëtare; – seleksionim pozitiv të kuadrit udhëheqës të organeve politike (partiake) dhe institucioneve të pushtetit; – frymë e re politike, ideologji kombëtare, nivel më të lartë intelektual dhe moral të drejtuesve të kësaj lëvizje.

Me udhëheqës qorra, një popull i tërë bëhet qorr, viktimë e propagandës, ndërsa lëvizja politike e tij asnjëherë nuk mund t’i arrijë synimet historike, qëllimet për të cilat ekziston!