105 vjeçarja që ka mbijetuar tri luftëra, ka varrosur tre fëmijë të saj dhe u ka shpëtuar dy aksidenteve të trafikut

Shpërndaje

Xhezide Alija i ka mbijetuar tri luftëra. Ka varrosur tre fëmijë të saj. Por kurrë nuk është dorëzuar. Ka shpëtuar edhe prej dy aksidenteve të trafikut.“Iu thashë këtyne si në hajgare se kur po jam unë në kerr, po shpëtoni gjallë edhe ju”, thekson me qeshje plaka 105-vjeçare. Kokën e kthen kah i biri, Remziu, me djalin e të cilit, Valonin, ishte në makinë të shtunën e javës së kaluar kur pësoi aksidentin e dytë, shkruan sot “Koha Ditore”.“Me pa kerrin qysh është shkatërru, nuk beson se të katrit kanë shpëtuar vetëm me pak shtypje të trupit”, shton Remziu në tarracën anash shtëpisë në fshatin Dardani të Ferizajt.

Aksidenti ka ndodhur në fshatin Bibaj përgjatë rrugës Ferizaj – Gjilan. Familja e gjerë Aliu po kthehej nga një darkë e organizuar nga nipat mërgimtarë. “Edhe në Francë lokja ka qenë në kombi kur është rrëzuar me shtatë persona derisa po shkonin nga Zvicra te vëllai Nuhiu në Francë se pati organizu një ndejë se ka firmë të madhe”, thekson Remziu.“Kam hjek boll në jetë, por qysh m’i kanë ba djemtë renet, as në xhenet nuk është ma mirë”, thekson plaka me ton serioz. Kur dëshiron ta fuqizojë edhe më fort rrëfimin, përbehet me “pasha dekën”.Fort rëndë e ka përjetuar vdekjen e djalit të dytë, Hysniut (66), para dy vjetësh. “Veç s’kam pas çka baj se kur diq Hysnia, me pas mujtë, me të kisha hy në vorr. Thashë: ‘O Zot ruma menën’. Tjetër nuk kam lyp”, thekson lokja Xhezide. Nipi, Liridoni, ia fshin lotët.

Nusja 14 vjeçe, dhëndri 57“Ka pasur jetë të vështirë nana”, thotë Remziu, para se lokja të fillojë të rrëfejë kronologjikisht jetën e saj prej më shumë se një shekulli. Në rastet kur lokja s’i mban dot lotët, Liridoni ngrihet në këmbë dhe me dy duart ia fshin sytë e përlotur. Xhezide Alija i është mirënjohëse, sikur se përsërit disa herë gjatë bisedës, “të lumit Allah” për shëndetin fizik e mendor, por edhe më shumë për të mirat që po i gëzojnë pasardhësit e saj.

Por shumicën e jetës së saj, vuajti shpirtërisht prej fatkeqësive e skamjes. Nuk i kujtohet asgjë nga vitet e fëmijërisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Kushte të mjerueshme kishin shqiptarët edhe pas përfundimit të saj, kur Kosova do të sundohej nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene.