Erdogan: Vendimet e BE-së për Shkupin dhe Tiranën do të ndikojnë në tërë rajonin

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendimet që Bashkimi Evropian (BE) do t’i marrë lidhur me negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndikojnë në të ardhmen e gjithë rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan këto komente i bëri gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë.

Ai u shpreh se Turqia gjithnjë ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë mbështetje të fortë për integrimin e Ballkanit në institucionet euroatlantike.

“Vendimet që BE do t’i marrë lidhur me negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndikojnë në të ardhmen e gjithë rajonit. Nëse BE i zhvillon këto procesi në kundërshtim me zotimet e saj, kjo do të dëmtonte jo vetëm paqen dhe stabilitetin e rajonit, por edhe kredibilitetin e saj”, u shpreh presidenti turk.

Erdoğan tha se në periudhën e fundit, politika e zgjerimit e BE-së është kapur peng nga disa qarqe populiste “me mendje të ngushtë”.

“Rrymat diskriminuese dhe përjashtuese që janë rritur në tërë kontinentin, nuk rrezikojnë vetëm paqen e brendshme të Evropës, por edhe ardhmërinë e saj dhe potencialin për të qenë shpresë. Ne besojmë se liderët evropianë do të veprojnë në një mënyrë vizionare dhe do t’i dalin zot idealit të Ballkanit për integrim në Evropë”, potencoi presidenti i Turqisë, Erdoğan.