Mickoski: “Reketi” rrënoi kredibilitetin e PSP-së

Shpërndaje

Prokuroria Speciale Publike është e komprometuar dhe ka marrë fund. Katica Janevës duhet t’i shqiptohet paraburgim. Ky është reagimi i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas hetimit të hapur dje “Reket”. Ai kërkoi edhe zgjedhje të shpejta të parakohshme. Por, njëherësh, lideri i partisë më të madhe opozitare shprehu dyshim ndaj hetimit të Prokurorisë së rregullt, duke e quajtur teatër. Arsyet, sqaroi, janë se Prokuroria nuk ka ngritur procedurë kur ai ka publikuar se është shantazhuar nga Janeva dhe për shkak se, sipas informacioneve të tij, fshihen porositësit e vërtetë të “Reket”-it.

Prokuroria objektive në bazë të informacionit deri tani mund të vepronte dhe tashmë të nisë aktakuzë për shantazh ndaj liderit të opozitës. Por, fatkeqësisht, kjo është gjithçka tjetër përveç se prokurori objektive. Ku janë indikacionet nga teatri Poroshenko – Stoltenberg, ku janë indikacionet nga furnizimi i sistemit të navigacionit, ku janë ato biseda ku prokurorë dhe gjykatës tashmë dy vite janë regjistruar, ku janë dhjetëra raste në këtë shtet ku ky i ashtuquajturi prokuror i pavarur duhet të veproj deri tani? Ose kulmi i veprimit është që zonjës Katica Janeva t’i merret celulari?- deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Për LSDM-në në pushtet, dita e djeshme ka treguar se nuk ka të paprekshëm për drejtësinë. Bëjnë të ditur se Prokuroria dhe gjykata janë të obliguara të veprojnë deri në fund dhe nëse secili e bën punën e tij do të arrihet deri te përgjegjësia individuale.

Bëhet fjalë për përgjegjësi penale, atëherë sigurisht se ka një emër dhe mbiemër dhe duhet të individualizohet. Institucioni nuk mund të jetë fajtor, por fajtor do të jetë ai që ka keqpërdorur funksionin dhe ndikimin e tij. Pastaj ai do të jetë fajtor. Por institucioni – jo- tha Snezhana Kaleska Vançeva-LSDM

Për partnerin qeveritar të koalicionit BDI, megjithatë, ngjarjet e djeshme janë konfirmim i transparencës së institucioneve, si dhe për nevojën e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët.

Qëndrimi i Besës është se tani është ndërlikuar statusi i Prokurorisë Speciale Publike në shoqëri, e cila gëzonte besim të lartë tek qytetarët.

Shihej se kishte drejtësi selektive. Nga njëra anë, ka pasur hetime kundër ish-zyrtarëve të VMRO DPMNE-së, por nuk ka pasur hetime kundër zyrtarëve të dikurshëm dhe aktualë të BDI-së të cilët tani janë pjesë e qeverisë aktuale- tha Fadil Zendeli – BESA

Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit, i cili mbështet qeverinë, kërkoi që në Kuvend të mbahet një seancë urgjente mbi ngjarjet rreth arrestimeve dhe zhvillimeve rreth Prokurorisë Speciale.

Alsat