Nënë gjatë ditës, studiuese gjatë natës: njihuni me Fatiman, shkencëtaren që kupton gjuhën e baktereve!

Shpërndaje

Ndërsa shumë kolegë të saj shijojnë mbrëmjen duke ndjekur Netflix, biologja dhe nanofizikantja molekulare analizon rezultatet e hulumtimit. Pasi i rehaton fëmijët në gjumë, ajo i bën vetes një filxhan të shijshëm kafeje dhe nis hulumtimet mbi jetesën e bakterieve trupore…

Duke ndjekur studimet e doktoratës në Universitetin Teknik të Danimarkës, shkencëtarja e nanofizikës, Fatima AlZahra’a Alatraktchi zhvilloi një sensor që mund të zbulojë infeksionet bakteriale para se ato të shkatërrojnë sistemin imunitar.

Kjo u ndihmon personave që kanë probleme të lindura me imunitetin, të cilët tërë jetën e tyre janë në luftë me bakteret, luftë e cila shpeshherë përfundon në moshën e tyre shumë të re.

Duke qenë e përkushtuar për zbulimin e një pajisjeje më efikase se ato tradicionalet që gjenden në laborator, ajo shpiku mjetin tashmë të patentuar, PreDiagnose.

Revista Forbes e radhiti Fatiman, 29-vjecare, në listën e personave më të suksesshëm të vitit 2018, në sajë të zbulimit më të madh sa i përket fushës së imunologjisë dhe rezistencës së baktereve.

Zbulimi i saj përshkruhet si një “mjet i cili dekodon komunikimin e baktereve” dhe përcakton me saktësi rezistencën e antibiotikëve.

Testi i cili së shpejti do të bëhet në klinikat në Danimarkë, diagnostifikon probleme nga infeksionet e mushkërive e deri te kanceret.

Mjeti që ajo ka zhvilluar në sajë të kërkimeve disavjeçare, faktikisht i përkthen “kodet” që bakteret ia dërgojnë njëra-tjetrës dhe kupton kur ato janë kërcënuese për jetën.

Zakonisht, pacientët drejtohen për analiza kur shfaqin probleme shëndetësore, por mos të harrojmë, ka shumë prej tyre, e veçanërisht fëmijët që lindin me sëmundje të imunitetit, ku organizmi është i paaftë të luftojë me bakteret.

Në këto raste, doktorët përshkruajnë antibiotikë “paushall” në përpjeke për të ndaluar infeksionet të cilat te këta pacientë janë vdekjeprurëse.

Sipas shkencëtares Fatima, mjeti që ajo ka zhvilluar e dekodon gjuhën e baktereve dhe e zbulon brenda pak sekondash nëse bakteret janë duke u përgatitur për ofensivë të ashpër apo jo.

Sipas saj, doktorët më nuk do të duhet të veprojnë në bazë të prognozave, por do të kenë para duarsh rezultatet e gjendjes aktuale të baktereve brenda organizmit.

Një tjetër rrezik që po e trajton shkëlqyeshëm zonja Fatima është lufta kundër rezistencës së antibiotikëve, e cila është alarmante në shumë pjesë të botës.

Kjo bën që një numër i madh i infeksioneve jo më vdekjeprurëse, si pneumonia, tuberkulozi, gonorreja dhe salmonelloza, të trajtohen më me vështirësi.

Përcaktimi i saktë i dozës dhe metodës së trajtimit të cilësdo sëmundje që kërkon antibiotik, tani e ka përballë mjetin që nga qarqet mjekësore po quhet me emrin “Revolucion”.

Fatima AlZahra’a Alatraktchi është 29 vjeçe dhe jeton në Greve të Danimarkës, me burrin (gjithashtu shkencëtar) dhe dy vajzat e saj.

Përshtati: Arbnora Avdiu-Hoxha. /tesheshi.com/