Opozita kërkon lista të hapura, BDI është për modelin ekzistues me gjashtë njësi zgjedhore

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev në dorën e shtrirë për takim liderësh me kreun e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristjan Mickoski, mes tre çështjeve kyçe për të cilat do të diskutonin – krahas PSP-së dhe Regjistrimit, e potencoi edhe Kodin zgjedhor, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, kohë më parë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar nga partitë politike që të diskutojnë mundësinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor në sistem proporcional me më pak njësi zgjedhore dhe me lista të hapura, si dhe pa prag zgjedhor apo me një prag të minimal të votave të nevojshme, në funksion të zgjerimit të përfaqësimit politik në Parlament.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është për modelin ekzistues me gjashtë njësi zgjedhore.

“Ne jemi për modelin ekzistues zgjedhor. Me rëndësi është mbarëvajtja e zgjedhjeve dhe se cili do model zgjedhor nuk paraqet problem për ne”, thonë nga BDI për gazetën KOHA.

Nga ana tjetër opozita shqiptare mbështet lista e hapura. Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka shumë vërejtje për shumë mangësi përmbajtësore dhe teknike në Kodin Zgjedhor. Sipas kësaj partie, listat e hapura zgjedhore janë nevojë e domosdoshme e demokratizimit të shoqërisë dhe vetë partive politike.

“Listat e hapura do t’i mundësojnë shoqërisë një përfaqësim më të drejtë dhe më adekuat dhe njëherë të zgjedhurit, gjegjësisht deputetët i vesh me përgjegjësi më të mëdha kundrejt votuesve të tyre në ushtrimin e veprimtarisë. Çështje mjaft e rëndësishme ngelet çështja e rregullimit të njësive zgjedhore. Të gjithë jemi dëshmitarë që ndarja e këtillë e Njësive zgjedhore nuk është e drejtë dhe aspak nuk pasqyron realitetin në mandate as në aspektin etnik dhe as në aspektin partiak. Në këtë drejtim, ASH është duke punuar intenzivisht me grupe ekspertësh për të dalë me propozimin final të modelit zgjedhor, i cili do të ishte sa më i përafërt me pasqyrimin e realitetit etnik dhe partiak në këtë shtet shumë etnik. Çështja e votimit të diasporës po ashtu ngelet një çështje shumë serioze për diskutim ngase diskutohet për një kategori shumë të rëndësishme të qytetarëve, të cilët përmes modelit ekzistues, nuk janë në gjendje të ushtrojnë sovranitetin e tyre”, deklaruan nga ASH-ja për gazetën KOHA.

Lëvizja BESA e Bilall Kasamit vlerëson se modeli zgjedhor duhet të jetë produkt i një debati të mirëfilltë, dhe i bazuar mbi argumente që do sjellin përfaqësim të qytetarëve sa më të mirë. “Ne kemi shprehur qëndrimin tone se ka disa modele zgjedhore që do kishin rritur kualitetin e përfaqësimit të qytetarëve dhe me siguri që do ti argumentojmë në debatin që do zhvillohet. Prioritet kryesor duhet të jetë modeli që do mundësojë lista të hapura preferenciale, pasi që është dëshmuar si model që do pastrojë skenën politike dhe do rrisë kualitetin e përfaqësuesve të popullit”, deklaruan për gazetën KOHA nga Lëvizja BESA.