Për 4 vjet Janeva është paguar 150 mijë euro, VMRO-DPMNE i dërgon çantë “Louis Vuitton” dhe para me “Boki 13”

Shpërndaje

Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE , në mënyrë simbolike deri te PPS-ja dërgoi një çantë të brendit Luj Viton dhe para me fytyrën e Bokit 13. Ai shtoi se Janeva brenda 4 vjetëve gjatë periudhës kur ishte në krye të PPS-së, ka marrë rreth 150 mijë euro, para të qytetarëve.

“Katica Janeva u zhduk. As për ato 150 mijë euro nuk ndjen përgjegjësi para mediumeve dhe qytetarëve. Ka marrë pushim mjekësor, ndërsa shkruhet se ka shkuar jashtë Maqedonisë. Për shërimin e saj të shpejt, në emër të qytetarëve, Katica Janevës i dërguam një çantë të brendit Luj Viton. Nuk është origjinale siç blen miku i saj Boki 13 por mund të gjendet nëpër tregjet në Maqedoni”, tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

PPS dje lajmëroi se Katica Janeva nga 16 korriku ka marrë pushim mjekësor, por se nuk i ka lajmëruar prokurorët të cilët ende e kanë shefe, por me shkrim i ka njoftuar vetëm shërbimet.

“Katica Janeva sot ka dërguar lajmërim i cili u është dorëzuar shërbimeve, se nga 16 korriku ka marrë pushim mjekësor. Deri më tani nuk kishim informacione se ku është ajo, për shkak se nuk është paraqitur që nga momenti kur dha dorëheqje. Janeva të hënën ishte në punë dhe kjo ishte dita e fundit kur ajo ishte në PPS, por kjo ishte ditën kur ajo dha dorëheqje të parevokueshme”, thonë nga Prokuroria Publike Speciale.

Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela propozoi që në krye të PPS-së të emërohet dikush nga BE-ja. Nga VMRO-DPMNE dhe LSDM-ja ende nuk janë shprehur kush duhet të emërohet në këtë funksion. Përndryshe, Janevës të hënën i është marrë telefoni, kur Prokuroria për krim të organizuar e hapi rastin Reketi për të cilin janë dënuar me burg Boki 13 dhe Zoran Milevski Kiçeec. Hetohet nëse Janeva është e lidhur me këtë rast për të cilin akuzohen Borjan Jovanovski dhe Zoran Milevski./TV21