Pse u harrua statusi i pjestarëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut? (Video)

Shpërndaje

Statusi juridik i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare mbetet i pazgjidhur edhe 18 vite pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut, shkruan gazeta LAJM. Ndonëse prej vitesh ishte heshtur, kjo temë është aktualizuar sërish nga ish pjestari i UÇK-së, Nagip Jonuzi – Plisi. Në fjalën e tij gjatë protestave që u mbajtën të premten para Qeverisë, ai kërkoi që statusi i pjesmarrësve shqiptarë në konfliktin e 2001-shit të rregullohet me ligj ashtu siç u rregullua në vitin 2002 statusi i të ashtuquajturve “branitella”. Jonuzi tha se ish ushtarët e UCK-së nuk do të heqin dorë asnjëherë nga kjo kërkesë.

“Unë Nagip Jonuzi – Plisi, si përfaqësues i veteranëve të luftës bashkë me ish ushtarët e konfliktit kërkojmë që të parashihet dhe të votohet në parlament ligji për rregullimin e statusit të veteranëve të luftës, ashtu sic është rregulluar me ligj statusi i branitellave. Kërkojmë që në bazë të ligjit për amnesti për ish pjestarët e UCK-së të paguhet dëmshpërblim bazuar në të drejtat që gëzojnë me ligj “branitellat”, tha Nagip Jonuzi – Plisi, ish ushtar i UÇK-së.

Ligj për ushtarët e UÇK-së këto ditë ka kërkuar edhe një pjestarë tjetër i kësaj ushtrie, Azbi Nuredini.

“A ka sqarim dikush para dëshmorëve pse nuk është miratuar ligji i UÇK-së ashtu siç është miratuar ligji për branitellat në janar të 2002?”, shkruan në facebook, Azbi Nuredini.

Zyrtarët e BDI-së, partisë që u formua nga komandatët e UÇK-së menjëherë pas luftës, vite më parë vazhdimisht premtonin zgjidhjen e statusit të pjesmarrësve shqiptarë të konfliktit. Por, viteve të fundit kjo temë është heshtur. Në vitin 2009, ministri për punë dhe politikë sociale në atë kohë, Xhelal Bajrami, kishte deklaruar se kjo çështje do të zgjidhet brenda vitit, por edhe pas 1 dekade, ende nuk është bërë asgjë.

“Unë shpresoj se deri në fund të vitit do të gjejmë një zgjidhje e cila do të jetë e pranuar edhe nga kjo kategori e qytetarëve” kishte deklaruar, ish ministri për punë dhe politikë sociale Xhelal Bajrami, më 26.10.2009.

Përveç BDI-së, për këtë temë nuk e ngrenë më zërin as opozita shqiptare. Analistët shqiptarë thonë se refuzimi i palës maqedonase për të rregulluar këtë çështje ka për qëllim të paraqesë si të padrejtë luftën e UÇK-së./Gazeta Lajm

VIDEO