Zgjedhja e Von der Leyen, Rama: Lajm i mirë, një europeiste e palëkundur

Shpërndaje

Ursula von der Leyen u zgjodh nga Parlamenti Europian në pozicionin e Presidentes së Komisionit Europian. Të shumta kanë qenë urimet ne rrjetet sociale që ajo ka marrë nga liderët e vendeve anëtare të BE dhe nga europarlamentarët që e votuan.

Ndërkohë nuk kanë munguar as urimet nga disa nga përfqësuesit e partive kryesore në Shqipëri.

Si fillim ka qenë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila e ka uruar atë duke shpresuar për mbarëvajtje të perspektivës së Shqipërisë drejt Europës.

“Urimet më të sinqerta gruas së parë të zgjedhur si Presidente e Komisionit Europian, Znj. Ursula von der Leyen.

Jam e bindur se nën drejtimin tuaj, KE do të ketë një fokus të veçantë në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Shqipërisë, si një aleate e palëkundur e vlerave europiane!” ka shkruar Kryemadhi në Facebook.

Ndërsa kryeministri Rama e ka cilësuar lajm të mirë për Shqipërinë zgjedhjen e saj në krye të KE duke e quajtur von der Leyen “një europeiste e palëkundur”

“Lajm i mirë për Europën, po edhe për Shqipërinë që pas votimit të sotëm, në krye të Komisionit Europian do të jetë Ursula von der Leyen, një grua e spikatur dhe një europeiste e palëkundur” shkruan Rama. /Opinion.al