Fletarrestimet nga Serbia, Tahiri: Vuçiqi nuk shkëputet nga trashëgimia e Millosheviqit

Shpërndaje

Ministri në detyrë i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, përmes një deklarate për media, ka reaguar ndaj fletarrestimeve që Serbia është duke lëshuar për qytetarët e Kosovës. Ai ka thënë se përpjekja e vazhdueshme e Serbisë për të ushtruar juridiksion mbi shtetasit e Kosovës, kur një gjë të tillë mund ta ushtrojë vetëm Republika e Kosovës si shtet sovran, në rrafshin e drejtësisë paraqet fytyrën e katandisjes që e ka sistemi i drejtësisë i Serbisë, ndërsa në rrafshin politik paraqet vazhdimin i mentalitetit të njëjtë të regjimit të Millosheviqit.

Për më tepër, Tahiri bënë me dije se Kosova nuk do të lejojë që përmes abuzimit me parimet e drejtësisë, Serbia të shpërfaqë qëllimet politike të saj ndaj qytetarëve të vendit tonë dhe ndaj sovranitetit tonë si shtet.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Pa kaluar as një javë e plotë nga përpjekja për ta marrë në mënyrë arbitrare shtetasin tonë Tomor Morina, përmes fletarrestimeve ndërkombëtare irracionale që e kanë origjinën nga regjimi shtypës i Millosheviqit, Serbia vazhdon të impresionojë me shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, duke nxjerrë aktgjykime për qytetarët tanë, pa përfillur asnjë normë dhe asnjë parim nga Konventat ndërkombëtare, pjesë e së cilave është.

Rasti i fundit i shkeljes flagrante është ai me shtetasin tonë H. M, për të cilin, organet gjyqësore serbe kanë zhvilluar procedurë penale pa njohurinë e tij, në kundërshtim të plotë me të drejtën dhe i cili sot rrezikohet të arrestohet nëse e lëshon territorin e Republikës së Kosovës.

Për më tepër, përpjekja e vazhdueshme e Serbisë për të ushtruar juridiksion mbi shtetasit e Republikës së Kosovës, kur një gjë të tillë mund ta ushtrojë vetëm Republika e Kosovës si shtet sovran, në rrafshin e drejtësisë paraqet fytyrën e katandisjes që e ka sistemi i drejtësisë i Serbisë, ndërsa në rrafshin politik paraqet vazhdimin i mentalitetit të njëjtë të regjimit të Millosheviqit.

Është evidente se Aleksandër Vuçiqi nuk shkëputet nga trashëgimia e Millosheviqit, por me shtetasit tonë do humbë më keq se tutori i tij.

Këto janë sinjale të qarta se Serbia është larg me realitetin politik, larg me parimet e drejtësisë dhe një gjë të tillë, nuk mund të mbetet pa u adresuar.

Republika e Kosovës nuk do të lejojë që përmes abuzimit me parimet e drejtësisë, Serbia të shpërfaqë qëllimet politike të saj ndaj qytetarëve të vendit tonë dhe ndaj sovranitetit tonë si shtet.

Në fillim të javës së ardhshme, do t’iu drejtohem institucioneve të Bashkimit Evropian për të kërkuar nga ta që kjo praktikë e papërgjegjshme e shtetit serb, e dëmshme për drejtësinë dhe për relacionet fqinjësore, të marrë fund një herë e përgjithmonë.