Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit: Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, djegia e mandateve nga opozita kundërproduktive

Shpërndaje

“Këshilli i Europës duhet të rekomandojë hapjen e negociatave. Ka ardhur koha dhe Shqipëria e meriton këtë”, deklaroi gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand.

Ai deklaron se “lufta politike mes partive ose mes udhëheqësve të partive, zhvillohet pa marrë parasysh nevojën për përparimin e vendit. Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment tepër kritik, kur Bashkimi Europian pritet të marrë në tetor vendimin për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky është një hap i rëndësishëm dhe ne e dimë se brenda BE-së ka vende që nuk janë pro zgjerimit dhe situata e sotme në Shqipëri ua bën më të lehtë këtyre vendeve të thonë le të mos i hapim dyert”.
“Mendimi im është se Këshilli i Europës duhet të rekomandojë hapjen e negociatave. Ka ardhur koha dhe Shqipëria e meriton këtë. Një moment tjetër po aq kritik është fakti se Shqipëria po bëhet gati të kryesojë OSBE-në vitin e ardhshëm. Ky është një post i rëndësishëm, nuk është diçka simbolike, ku thjesht vë emrin në krye të listës së 57 vendeve anëtare. OSBE-ja merret me konfliktin në Ukrainë, me agresionin rus, merret me konfliktet që egzistojnë në mbarë rajonin, merret me nxitjen e demokracisë në vende si Rusia por edhe në vendet e tjera të Azisë Qendrore. Arritja e suksesit në 2020 do të ishte shumë e vështirë nëse vendi që ka kryesinë do ta ketë mendjen tek mosmarrëveshjet e veta të brendshme, në vend që të përfaqësonte Europën për të ofruar zgjidhje për problemet me të cilat ndeshet rajoni në tërës”, u shpreh ai.

Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, Hand thotë se do t’i qëndroja vlerësimit të OSBE-së.” Ato u zhvilluan. Pati debat për datën dhe se çfarë duhet bërë, për shkak edhe të mungesës së gjykatave dhe nuk pati kohë të mjaftueshme për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje, pra nuk kishte alternativë tjetër veç bërjes së tyre”, tha ai duke shtuar se, për të kapërcyer situatën aktuale politike “uroj që mes elitave politike shqiptare do të ketë vullnet për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet”.
I pyetur nëse SHBA duhet të tregohen më të angazhuara lidhur me këtë situatë që është edhe një lloj pasoje e reformës në drejtësi, Robert Hand tha se “nuk mendoj se duhet të luajnë rol ndërmjetësues. Shqiptarët duhet të largohen nga praktika e të kërkuarit ndihmë nga të huajt për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Po, mendoj se Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur për reformën dhe vetingun e gjyqtarëve, që çoi në mosfunksionimin e gjykatave, kanë luajtur një rol në këtë drejtim. Por mendoj se reforma dhe vetingu ishin të nevojshëm”.
Ndërkohë, tha ai ndër të tjera, u takon politikanëve të jenë të hapur për dialog dhe të arrijnë një zgjidhje, që vendi të ecë përpara në këtë kohë kritike.
Ndërsa lidhur me qeverisjen e vendit, ai tha se “në pikëpamjen time vendi ka përparuar këto 6 vjet. Mendoj se reforma në drejtësi mund ta çojë vendin më përpara. Shqipëria duhet të shpërblehet për këtë, por kjo nuk i bën të padukshme problemet e tjera. Por largimi i opozitës nga parlamenti, siç ndodhi në shkurt, krijoi një problem të ri, duke e zhvendosur vëmendjen tek veprimi i saj, nëse ishte kundër-produktiv apo jo dhe u lanë në harresë problemet e vërteta për ta mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj, gjë që është pikërisht misioni i opozitës”.
Për bojkotin e parlamentit nga opozita, Hand tha se “përgjithësisht, anëtarët e Kongresit këtu nuk besojnë se bojkotimi i parlamentit është një ide e mirë. Dhe ky nuk është thjesht një bojkot i përkohshëm, por lëshimi i mandateve pa asnjë mjet për rikthim”.

“Ishte një veprim shumë kundërproduktiv, po të kesh parasysh edhe kohën kur u bë”, vijoi ai duke nënvizuar se “kjo mund të jetë kundërproduktive për opozitën edhe për sa i përket mbështetjes që ajo merr. Përpiqem të kërkoj shpresë kudo që mundem, dhe më dha zemër fakti që brenda partive opozitare pati disa mospajtime për këtë. Tre deputetë të parlamentit qëndruan në Parlament, nuk i braktisën mandatet e tyre dhe të tjerë nga listat e partive, hynë në parlament dhe plotësuan shumicën e vendeve të mbetura bosh. Nëse ata mbeten pjesë e Partisë Demokratike ose e LSI-së dhe kthehen përsëri aty, mbase mund të përpiqen t’i reformojnë këto parti. Një pjesë e problemit me Shqipërinë, mendoj se është fakti që nuk ka demokraci të mjaftueshme brenda partive. Ne nuk mund t’i detyrojmë partitë të jenë më demokratike. Kjo varet prej tyre, por sigurisht që do ta ndihmonte vendin në aspektin e udhëheqjes së përgjegjshme. Disa nga këta njerëz dhe me duket se disa tashmë e kanë bërë një gjë të tillë, kanë vendosur të fillojnë vetë lëvizje të reja apo parti të reja. Mendoj se Shqipëria, në planin afatgjatë do të përfitonte me siguri nga kjo. Populli i Shqipërisë do të përfitonte nëse gjatë zgjedhjeve në të ardhmen do të kishin më shumë alternativa në kutinë e votimit”. /k.s/
.

Burimi: http://ata.gov.al/