Kush është ‘Zharko’ të cilin e ka shpëtuar Boki13? Ai dyshohet në lëndën “Stacionet bazë” të PSP-së

Shpërndaje

Incizimi i publikuar dje nga gazeta italiane “La Vertia” ka hapur pistë të re dyshimesh për persona që mund të kenë shpëtuar nga hetimet e Prokurorisë Speciale.

Dy të përfshirët në rastin Reket, Boki 13 dhe Orce Kamçev, gjatë bisedës flasin për një person që me ndihmën e Bokit ka lidhur kontakte dhe ka mbaruar punë me të dyja palët, siç thotë Boki, edhe me PPS-në, por edhe me Kryeministrin Zoran Zaev.

B.J: Ai njeri përmes meje ka hyrë në kontakt…

O.K: Ky lart… ky i yni…?

B.J: Po, dhe kreu gjithçka me mua.

O.K: Super!

B.J: Por mbaroi nga të dyja anët, edhe PPS edhe ZZ, punë e projekte të mëdha tani.

O.K: I yni?

B.J: Po.

Për këtë person Boki 13 e lut Kamçevin të ketë kujdes që të mos dalin fjalë, por Kamçev, e çon bisedën edhe më tutje deri sa kuptohet se për cilin person bëhet fjalë. Kamçev tregon se këtë person e ka kumbarë dhe se për të PPS po ashtu kishte hapur lëndë.

O.K: Ai po ashtu kishte lëndë.

B.J: Nuk kishte

O.K: Po kishte, për “Stacionet bazë”. Mirë tani, e zgjidhi problemin.

B.J: Askush nuk e di.

O.K: E zgjidhi brengën, super. Unë Zharkon e kam kumbarë. Le të vazhdojë punën, kush të mundet, Zoti e ndihmoftë…

 Po kush është i shpëtuari Zharko, siç thotë Boki 13, i cili përmendet nga PPS në lëndën “Stacionet bazë”? Të dhënat që dëgjohen në përgjim, çojnë tek Zharko Llukovski, ish-drejtori ekzekutiv i T-Mobile Maqedoni. TV21 kontakto përmes telefonit me Llukovskin. Ai pohon se që fëmijë e njeh Boki 13, por nuk deshi të japë asnjë koment më shumë.

“Askush nuk ka negociuar me PPS-në në emrin tim. Distancohem nga komentimi i gjithë kësaj sepse jam në pushim dhe s’kam informacione të mjaftueshme për çfarë bëhet fjalë” i tha TV21 ish-Drejtori gjenderal i T-Mobile Zharko Lukovski.

Për Llukovskin Prokuroria Speciale në tetor 2018, edhe pse i kishte skaduar mandati, hapi lëndë hetimi bashkë edhe me 5 lëndë të tjera.

Sipas shpjegimit të PPS, gjatë vitit 2011 i dyshuari Zharko Llukovski, aso kohe ish-drejtor kryesor ekzekutiv në T- Mobile Maqedoni, duke e shfrytëzuar pozitën dhe autorizimet të “Beton” SHA Shkup, i ka alokuar përfitim në pronë mbi 3 milion e gjysmë euro.

Kërkuam qëndrim edhe nga Prokuroria Speciale, por sot përgjigje nuk morëm.

Mësohet se me lëndën “Stacionet bazë” udhëheqë prokurorja Lile Stefanova. Megjithatë, në mungesë së përgjigjeve të PPS-së tani për tani mbetet pa përgjigje pyetjet se në ç’ fazë gjendet lënda dhe nëse përgjimi i ri hapë dyshime të reja për ndikime në PPS.

Dje Kryetari i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski i tha TV21 se duke parë nga perspektiva e tanishme, mund të dyshohet se lëndët e nisura pas skadimit të mandatit, PPS-s mund t’i ketë hapur për keqpërdorime të tilla si afera “Reket”. “Ashtu duket nga perspektiva e tanishme. Por ky është vetëm supozim logjik” tha kryetari i Supremes për TV21.

Edhe Kryeministri Zoran Zaev ka mohuar çfarëdolloj lidhjeje të tij me skandalin “Reket”./TV21

PËRGATITI: BESIR ARIFI