Albin Kurti: Ndryshimi do të thotë lëvizje, emrin e ka Vetëvendosje

Shpërndaje

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se vendi është në krizë të thellë dhe se situata duhet të ndryshohet.

“Po jetojmë një moment definues për të ardhmen dhe historinë tonë. Vendi është në krizë, gati një e treta janë të papunë. Qindra-mijëra veta kanë lëshuar vendin. Policia, gjykatat, janë kapur nga një bandë e të paditurish. Shkollat janë kthyer në vend ku humbet koha dhe jo ku fitohet dija. Tokat janë kthyer në djerrina. Shëndetësinë e kanë kthyer në biznes. Kurrë s’kemi paguar më shumë për produkte bazë. Borxhi ynë publik po rritet me shpejtësi. Investimet e huaja kurrë s’kanë qenë më të ulëta për shkak të krimit të organizuar”.

“Presidenti i Kosovës dhe partia që ende ia udhëheq e kanë humbur udhën duke shitur tokë dhe duke na e kthyer Serbinë në Kosovë. Me LVV në qeveri vjen koha e barazisë dhe drejtësisë. Një e ardhme ku shteti garanton për cilësinë e ushqimit, ndihmohen prindërit të luftojnë për të siguruar jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Një e ardhme ku ata që vjedhin doganën, ata që mashtrojnë me naftë, ata që vjedhin në tender, e ata që bëjnë evazion fiskal më në fund dalin para drejtësisë dhe fillon ç’kapja e shtetit të kapur. Me Vetëvendosje në qeveri korrupsioni merr fund. Do të sjellim ligje për hetimin e pasurisë së pashpjegueshme të qytetarëve”.

Kurti ka thënë para delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes se me 6 tetor duhet të votohet për ndryshim me zemër të pastër dhe mendje ka e ardhmja.

“6 tetori është moment referendumi. E mira kundër së keqes, përparimi kundër hajnisë. Kur të fitojë VV të gjitha paritë do të bëhen të mira sepse do të ngritet standardi. Nuk kemi kohë për të humbur. Ndryshimi do të thotë lëvizje kurse emrin e ka Vetëvendosje. Koha është tash për shkak që qeverisjeve të këqija ku na qeverisnin njerëz pa dije që kanë cenuar vlerat më sublime në vendin tonë”.