Historia dhe aktualiteti i qytetit të Shkupit përballë ndikimeve të huaja

Shpërndaje

(Historia e qytetit të Shkupit është një histori disa mijëvjeçare që nuk mund ta ndryshojnë sundimet e huaja brenda një shekulli)

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Historia e Qytetit të Shkupit, e falsifikuar dhe shtrembëruar mes interesave serbe dhe bullgare, gjatë sundimit (herë nga njëri e herë nga tjetri) nga këto dy shtete në gjysmën e parë të shek. XX (1913-1944), paraqet shpërfytyrim të identitetit të tij të vërtetë mijëvjeçar ilir-pajon-maqedon-dardan-arbëror-shqiptar, ndërsa historia e re nga viti 1913, që lidhet me interesat serbe e bullgare është histori sundimi, pushtimi, okupimi dhe robërie të huaj mbi popullsinë vendëse të Maqedonisë së sotme, shqiptarët, maqedonasit, vllehët dhe të tjerët.

Simbolika e forcës së pushtetit, sundimit dhe dominimit, përmes ndryshimit të strukturës etnike të banorëve dhe të figurave historike në monumentet e vendosur në sheshin e qytetit të Shkupit, kryeqyteti i mëhershëm dhe i sotëm i Maqedonisë, pas vitit 1913, edhe aktualisht paraqet nyjen kryesore që duhet të zgjidhet, për të pastruar me të kaluarën historike të sundimit të tij nga shtetet dhe popujt fqinj dhe për sigurimin e të ardhmes evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë Veriore, si shtet modern e demokratik i të gjithë qytetarëve të saj, jashtë sferave të ndikimit nga jashtë dhe dominimit mbi baza etnike, kulturore dhe fetare, nga brenda.

Sheshi i qytetit të Shkupit gjatë periudhës së sundit të ish Mbretërisë Jugosllave, 1913-1918/1918-1939, në kuadër të së cilës ka qenë edhe Maqedonia, si “Banovina e Vardarit”, e ka mbajtur emrin e mbretit serb “Sheshi Kral Pjetri”, ndërsa aktualisht ky shesh e mban emrin “Sheshi Maqedonia”.

Në hyrje të sheshit të Shkupit, nga ana e djathtë e lumit Vardar (Bardhar), në dy anët e Urës së Gurit gjatë sundimit serb nën ish Mbretërinë e Jugosllavisë (SKS) kanë qenë të vendosura monumentete e mbretërve të Serbisë, kral Pjetrit dhe kral Aleksandrit.

Monumente të njëjtë në po këtë vend, në sheshin e qytetit të Shkupit (me lartësi prej 5 metër), nga viti 2010 janë vendosur përmendoret e revolucionarëve Goce Dellçev dhe Dame Gruev, të hypur mbi kuaj.

Monumentet e Dame Gruevit dhe Goce Dellçevit (i pari është paraqitur si revolucionar me uniformë ushtarake dhe me maliher në dorë, ndërsa tjetri si mësues dhe intelektual) janë përmendoret e para të vendosura në kuadër të projektit “Shkupi 2014”.

Projekti “Shkupi 2014” i realizuar gjatë qeverisjes së shtetit nga OBRM-PDUKM (VMRO) dhe partitë e shqiptarëve BDI dhe PDSH është cilësuar si projekt me të cilin janë dëmtuar interesat e shtetit dhe të qytetarëve të tij, ndërsa figura e revolucionarit Goce Dellçev ende përbën nyjen e mosmarrëveshjes që pritet të zgjidhet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore mes Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë, për shkak të kontestimit të përkatësisë etnike të kësaj figure historike.

(1 shtator 2019)