Reagon Bujar Zendeli nga Vishtica: Personat e involvuar në bisedë, publikisht të tregojnë se unë nuk jam “Bujari” që përmendet në bisedën mes tyre

Shpërndaje

Isha i tronditur kur e lexova emrin tim në disa tekste të porositura, si “Bujari nga fshati Vishticë apo BujarZendeli” që gjoja ka kërkuar nga Sadulla Duraku të lirohet një kriminel që ka kryer vrasje në fshatin Likovë, e që dëgjohet në një bisedë mes Sadulla Durakut dhe Ali Ahmetit.

Përmendja e emrit tim nuk më ka tronditur vetëm mua, por edhe familjarët e mi, shokët, bashkëveprimtarët, dashamirët dhe bashkëluftëtarët nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Kosova,Shqipërija, Presheva e gjithandej.
Të gjithë ata i kam njoftuar personalisht, por tani njoftoj edhe mbarë opinionin publikisht se asnjëherë, prej askujt nuk kam kërkuar të bëhen skenarë në gjykatë, që të shpëtojë një kriminel. Angazhimi im, që nga koha kur kam qenë pjesë e kampeve të para stërvitëse të UCK-së bashkë me Adem J, gjithmonë ka qenë kundër kriminelëve që kanë terrorizuar shqiptarët.

Unë e di shumë mirë kush ka porositur atë tekst, siç e dinë gjithë shqiptarët. Qëllimi i tyre është të përbaltet dhe njëlloset emri dhe veprimtaria ime, për të mbuluar gjurmët e kriminelëve.

Turpi le të mbetet mbi ta dhe familjet e tyre. Unë me krenari para gjithë shokëve dhe bashkëluftëtarëve të mi mund të them se asnjëherë nuk jam përzier në lojëra të atilla, por i kam kundërshtuar ato.

Kërkoj nga personat e involvuar ne incizim që publikisht të tregojnë se unë asnjëherë nuk kam kërkuar diçka të atillë prej tyre, por edhe të tregojnë saktë se për cilin Bujar bëhet fjalë.

Nga viti 1993 jetoj në qytetin Sent Polten të Austrisë dhe jam shtetas i Austrisë. Prandaj për këtë manipulim do ta njoftoj edhe Ambasadën Austriake në Shkup dhe prej tyre do të kërkoj të bëjnë gjithçka që është e mundur, për të zbuluar se kush manipuloi me emrin tim si shtetas austriak.