Mathew Palmer: Përparësi e imja, hapja e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në BE

Shpërndaje

Në një takim me zyrtarë të Malit të Zi, përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer deklaroi se me emërimin e tij në këtë post, Shtetet e Bashkuara dëshmojnë se janë sërish më të përfshira në rajon.

Ndër të tjera, gjatë vizitës në Podgoricë, Palmer-i foli edhe rreth objektivave të detyrës së tij, ku theksoi se “përparësi e tij janë hapja e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, rihapja e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe gjetja e një zgjidhjeje për funksionalizimin e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Palmer, i cili u emërua përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo më 30 gusht, pak pas marrjes së detyrës tha se qëllimi i tij është t’i kthejë Kosovën dhe Serbinë “në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje” normalizimi ndërmjet tyre.

Ai pohoi në fillim të këtij muaji se Shtetet e Bashkuara do të donin të shihnin “njohjen e ndërsjellë si pikën qendrore të marrëveshjes”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./ Zëri i Amerikës

Top Channel