Rama ndjek Kombëtaren në stërvitje: Ka një mesazh për kuqezinjtë

Shpërndaje

Shqipëria është duke zhvilluar përgatitjet e fundit për sfidën e sotme përballë Islandës, ndeshje e cila do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 20:45.

Përgatitjen e kombëtares ditën e sotme e ka ndjekur edhe një figurë e madhe siç është kryeministri i Shqipërisë. Edi Rama ka qenë i pranishëm në resortin “Tropical”, ku kombëtarja e drejtuar nga Edi Reja, po zhvillon përgatitjet e fundit për ndeshjen kualifikuese të Euro2020 kundër Islandës.

Menjëherë pas kësaj numri 1 i qeverisë shqiptare ka postuar një foto në “Facebook”, nga qendra stërvitore ku shkruan: “Kur fitojnë mbajnë radhë të të tregojnë sa të duan, kur humbet e ke ti radhën t’u tregosh se sa vlen.”, për të treguar se pavarësisht se kombëtarja nuk është në një formë të mirë, tifozët duhet të jenë në mbështetje të ekipit, si në kohët kur ishim në një formë të mirë.

Mesa duket duket deklaratat e Armand Dukës pas humbjes me Francën, se “Vip”-at duhet ta mbështesin kombëtaren edhe në momente të vështira, janë marrë seriozisht nga figurat e larta të shtetit, pasi pak minuta më parë edhe presidenti i Republikës Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, deklaroi se do të jetë i pranishëm në “Elbasan Arena”.