Tre turistë nga Norvegjisë hanë e pinë në një lokal në Shqipëri, pastaj thërrasin policinë se janë përdh*unuar e marrë peng

Shpërndaje

Sulejman Alia tregon, se ka një lokal në zonën e Malit të Robit, ku punon bashkë me gruan dhe dy djemtë. Por në 3 gusht ata janë përballur me një situatë të pazakontë. 3 vajza norvegjeze kanë porositur darkë e pije në lokal dhe më pas kanë denoncuar në polici se janë përdh*unuar e marrë peng.

Policia ka bastisur lokalin dhe ka shoqëruar personelin. Pas sekuestrimit të pamjeve filmike rezultoi se akuza ishte rreme dhe vajzat norvegjeze kërkuan ndjesë e u lanë të lira.

“Ishim në një ditë normale pune, në orën 21:45 erdhën 3 kliente. Porositën, u shërbyem. Zbuluam që ishin shtetase norvegjeze, pinë verë, mbi 2-3 gota. Njëra nga ato qëndroi mbi një orë dhe u largua. Kurse ajo tjetra ndenji me shoqen e vet, kërkuan të pinë, erdhën tek banaku. Aty na u ulën në tavolinë”, thotë njëri prej djemve të Sulejman Aliut.

“Ambienti është i filmuar me kamera. Nga orari që erdhën ne nuk i njohëm fare, vetëm i përshëndetëm. Çfarë dëshironi të pini? U dhamë menunë dhe çdo gjë vazhdoi kështu. U largua edhe vajza tjetër, kjo tjetra erdhi tek banaku për të pirë alkool. I thashë, “shoqja jote iku, tani më jep lekët që keni pirë dhe mund të ikni.” Jo, më tha, pres shoqen time që të vijë”, thotë tjetri.

“Dhjetë minuta pasi u largua vajza, arrin policia dhe na hyn duke bërë terror dhe na thotë se jeni të akuzuar për pengmarrje dhe përdh*unim. Ironia më e madhe është se policia erdhi për të na kapur në flagrancë, por ne ishim duke bërë muhabet. Shiko çfarë më bëjnë mua, më shtrinë përtokë, shikoje atë tjetrin që më gjuajti në fytyrë…”

Një prej të arrestuarve ishte edhe një djalë që kishte një biznes ngjitur.

“Unë nuk kisha lidhje fare me ngjarjen, kisha 5 minuta që kisha ardhur dhe shoh policinë, shtrirë të gjithë përtokë dhe një gocë që më akuzon që ti je përgjegjësi për gjithë këtë ngjarje këtu. Unë nuk kam lidhje fare me lokalin, sepse unë jam biznesi ngjitur dhe atë natë erdha vetëm për të përshëndet miqtë e mi. Mua nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që një vajzë që nuk e njihja fare të më akuzonte për përdh*unim. Është komplet absurde ndërkohë që kisha vetëm 5 minuta aty. Thjeshtë u gjenda në vendin e gabuar, në çastin e gabuar, ndoshta edhe me njerëzit e gabuar. Megjithëse nuk kisha lidhje me situatën dhe të gjithë dëshmitarët thoshin se nuk kanë të bëjnë, policia na shoqëroi pa na dëgjuar fare.”

3 djemtë i çuan në komisariatin e Kavajës, por nuk u dhanë asnjë procesverbal, as për sekuestrimin e kamerave dhe as për dëshmitë.

Tashmë djemtë e akuzuar padrejtësisht denoncojnë se policia e Golemit dhe Kavajës nuk bënë asgjë duke i lënë vajzat e lira, madje as kopjet e deklaratave nuk u janë dhënë. Ndërsa OPGJ Ilir Dizdari thotë se djemtë e akuzuar nuk duhet të merren më me këtë histori, pasi vajzat u tërhoqën.

“Vajzat u lanë të lira dhe shkuan të flinin në hotel. Kur morën vesh se në lokal ka kamera, kërkuan falje. Ishin regjistruar të gjitha veprimet e tyre dhe kërkuan ndjesë”, thotë një prej djemve.

Por gazetarja e “Stop” thotë se ata bënë njoftim të rremë në sallën operative dhe sipas nenit 272, “Njoftimi i Rremë në Organet e Rendit: Njoftimi i rremë i bërë në organet e rendit për kryerjen e një vepre penale, për t’i vënë ato në gjendje gatishmërie dhe alarmi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose me burgim gjer në një vit.”

Gazetarja: Ju kishit bërë një bisedë paraprake me vajzat? Kur ju kërkuan falje, i falët?

“Jo, ne deshëm të bëjmë denoncim për vajzat që bënë denoncim të rremë, por policia na tha lërini, nuk ka problem, ju jeni të pafajshëm, pse doni të bëni denoncim?”

Gazetarja: Por edhe sikur ju të tërhiqeshit nga denoncimi, vetë organi i policisë duhet minimalisht t’i merrte dhe vajzat të mbanin përgjegjësi për kundërvajtje penale.

“Asgjë nuk është bërë nga këto, vajzat janë lënë të lira dhe janë kthyer në vendin e vet, kurse ne nuk na jepet procesverbali që ne kërkojmë nga policia. Kërkojmë nga policia që të merrte masa për vajzat, por nuk i mori sepse ato ishin shtetase të huaja dhe kësaj i bie të jemi ca të nënës, ca të njerkës, dhe ne shqiptarët gjithmonë kemi qenë poshtë.”

Ndërsa babai i dy djemve, Sulejman Alia ka vetëm një kërkesë: Dua që nderi i familjes sime të vihet në vend, sepse më kanë njollosur shumë, raporton TvKlan.