Erdogan: Duke filluar nga sonte, në Idlib hyn në fuqi armëpushimi

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi shpalljen e armëpushimit në rajonin veriperëndimor sirian të Idlibit duke filluar nga mesnata e 6 marsit, raporton Anadolu Agency (AA).

Njoftimi i presidentit turk erdhi gjatë një konference të përbashkët për media pas një takimi të gjatë në Moskë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në lidhje me situatën e fundit në Idlib.

“Sonte nga ora 00:01 në Idlib hyn në fuqi armëpushimi”, tha Erdoğan, duke theksuar se regjimi sirian i Bashar al-Asadit është “përgjegjësi kryesor për zhvillimet që çuan në prishjen e marrëveshjes mbi Idlibin dhe se është regjimi i cili me agresivitet shënjestron stabilitetin rajonal”.

Ai tha se qëllimi themelor i regjimit sirian është shpopullimi i Idlibit dhe vendosja e Turqisë në gjendje të vështirë duke shkaktuar valë emigracioni.

“Së shpejti do të hyjë në fuqi armëpushimi, pastaj me shpejtësi do t’i hedhim hapat që do t’i përcaktojmë së bashku”, shtoi Erdoğan.

Ai deklaroi se fryma e bashkëpunimit me Rusinë i ka dhënë kontribut unik përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.

“Marrëdhënien tonë, që përfshin procesin politik dhe lindjen e Eufratit, dëshirojmë ta vazhdojmë duke e thelluar më tej”, theksoi Erdoğan.

Pas ngjarjeve pikëllusese që ndodhën si pasojë e agresivitetit të regjimit sirian kundër ushtarëve turq, tha Erdoğan, është e pashmangshme që Idlibi të fitojë një status të ri.

Bisedimet e sotme erdhën pasi 36 ushtarë turq u martirizuan nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit në Idlib të Sirisë javën e kaluar.

Ushtarët turq ishin në detyrë për të mbrojtur civilët lokalë nën një marrëveshje të vitit 2018 me Rusinë, sipas së cilës aktet e agresionit janë të ndaluara në rajon.

Turqia, e cila tashmë strehon rreth 3,7 milionë emigrantë sirianë, më shumë se çdo vend në botë, thotë se nuk mund të absorbojë një valë tjetër refugjatësh.

Ankaraja është ankuar vazhdimisht se Evropa nuk ka arritur t’i mbajë premtimet e saj në bazë të marrëveshjes BE-Turqi të vitit 2016 për të ndihmuar emigrantët dhe për të frenuar valët e mëtejshme të migrimit.