Klinika e premtuar nga Visar Ganiu në Çair ngelet vetëm në letër (Video)

Shpërndaje

Ndërtimi i Klinikës së fëmijëve e cila u paralajmërua nga kreu i Çairit nuk do të ndërtohet në Gazi Babë. Edhe pse në kontratën e Visar Ganiut ky projekt ishte paraparë që tashmë të ishte nga përfundimi, i njëjti ka filluar të shqyrtohet nga e para. Kreu i Çairit thotë se problemet pronësoro – juridike si dhe qasja deri te lokacioni i paraparë për ndërtimin e Klinikës kanë qenë arsyet që ky projekt të riformulohet.

Nga ai studim që e bëmë, duhej që shumë mjete të ndajmë si fillim që të rregullojmë qasjen, apo rrugën për të mbërri deri te objekti. Problemi i dytë është se ai objekt është nën menaxhim të MPB-së dhe ata nuk kanë objekt tjetër të cilin e shfrytëzojnë si qendër të emigrantëve, kështu që kërkojnë nga ne që të shtyhet kërkesa jonë për shkak se nuk kanë të siguruar lokacion tjetër. Duke e ditur që koha ecë kurse ne kemi premtuar, kemi parë një solucion tjetër që këtë objekt ta destinojmë dhe të fillojmë me procedurat ta rregullojmë në Çair. Pasi plani detal lejon, dy kate apo nivele të shkojnë mbindërtim në Poliklinikën në Çair e cila ka dy qasje të mira nga dy rrugë kryesore- deklaroi Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit .

Një pjesë e të anketuarve nga Alsat nuk kanë aspak besim në realizimin e këtij projekti, dhe të njëjtin e quajnë si premtim të serishëm në prag të zgjedhjeve.

“Jo, jo, jo. – Nuk keni besim se ndërtohet? Jo. Sepse gjithmonë gjithçka kështu ka shkuar. Për shkollën në Vizbeg gati 10 vite ka premtime, prandaj edhe për këtë e njëjta gjë është, vetëm premtime dhe asgjë tjetër”.

“Para zgjedhjeve çdoherë ka kësi lloj premtimesh dhe do ketë çdoherë. Është i mundshëm realizimi nëse vjen Qeveri e re”.

Ndërkohë disa prej të anketuarve shpresojnë në realizimin e projektit me qëllim që të shmangen bredhjet nga njëra në klinikën tjetër.

“Mendoj se është diçka e nevojshme, e mirë që të mos udhëtojmë nëpër qytet të kërkojmë Klinika tjera duke e pasur këtu afër. Ka nevojë kjo komunë për një objekt të tillë. Shpresojmë se do të realizohet”.

“ Shumë ide e mençur. Sepse për Çair kjo poliklinikë është pak.. Çairi është ndër komunat më të mira, me një poliklinikë dhe me shumë pacientë”.

Ndërtimi i Klinikës për fëmijë në territorin e komunës së Gazi Babës, ka qenë pjesë e programit zgjedhor të kreut të Çairit i titutlluar si “Kontrata” ku ai së bashku me përfaqësues të tjerë të pushtetit ekzekutiv u zotua se deri në vitin 2021 Klinika veçmë do të jetë e përfunduar dhe gati për trajtimin e pacientëve. Premtimi i ri i Ganiut është se në Qershor ky projekt do të fillojë të realizohet për të përfunduar brenda dy viteve. Mbindërtimi i dy kateve përfshin sipërfaqe prej 7000m2, njëri nivel si Klinikë e Fëmijëve dhe tjetri si shërbim ortopedik./ALSAT/