Kurti: Nuk jam antiamerikan – jam kundër antiamerikanëve

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur i bindur se ka një marrëveshje të gatshme për dialogun, derisa akuzat kundër tij i ka quajtur se po bëhen me qëllim të thyerjes së tij si kryeministër.

Në seancën e jashtëzakonshme, Kurti shprehu bindjen se ka një marrëveshje të gatshme të arritur ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Kurti tha se ajo që po ndodh nuk është duke i pëlqyer, por shtoi se ajo që mund të ndodhë nëse hiqet taksa pa reciprocitet do të ishte më e dëmshme dhe një gabim i pafalshëm historik.

Ai akuzoi presidentin Thaçi se ka pësuar debakël në Shtëpinë e Bardhë, pasi është kthyer pa marrëveshje dhe pa investime në ekonomi.

Kurti tha se si kryeministër nuk është antiamerikan, ndërsa akuzoi presidentin Thaçi se është antievropian dhe se po sillet më keq ndaj Bashkimit Evropian sesa ndaj Serbisë.

Kreu i qeverisë tha se është i gatshëm të shkojë në Uashington si kryeministër për t’i diskutuar të gjitha çështjet. Ai tha se kanë nevojë për një proces drejt një marrëveshje të pranueshme për SHBA-në, BE-në dhe rajonin./KP