VV dhe LDK me draftrezolutë, Selimi: Nuk i prishim raportet me Amerikën për shkak të taksës

Shpërndaje

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi, ka thënë se opozita e tanishme është e pakuptueshme dhe me kërkesa të padefinuara.

Ai u tha tri partive opozitare që janë nënshkruar për t’u mbajtur seanca se janë të ndara dhe se bashkohen vetëm kundër qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

“A na thoni a ta heqim siç po kërkon PDK apo ta mbajmë siç po kërkon AAK-ja, apo t’i bëjmë të dyja siç po kërkon Nisma. Prej tre grupeve parlamentare të nënshkruara këtu kemi tre qëndrime të ndryshme. Edhe po të donim t’iu marrim parasysh nuk mundemi…Ju jeni të ndarë për taksën, por kur bëhet fjalë për qeverinë Kurti bashkoheni, e harroni edhe taksën edhe Amerikën. Ju bashkon qeveria dhe kryeministri i saj që bashkë me partnerët tanë ju kemi bashkuar në opozitë. Nëse po pretendoni se jeni aq të brengosur saqë nuk duket që jeni, se po prishim me Amerikën, atëherë dua t’i kujtoj se me ShBA-të prishemi kur instalojmë korrupsion siç përfaqësoni ju, kur ka kriminalitet, kur ka shtet mafioz, kur ka nepotizëm, kur vidhet shteti që shpesh prej jush e keni bërë kur keni qenë në pushtet. Kosova dhe Amerika nuk i prishin raportet për shkak të taksës siç po keni dëshirë, por po ashtu edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk rregullohen vetëm me një taksë siç po pretendoni ju”, tha ai.

Ai ka ftuar opozitën që të votojnë një rezolutë që në emër të LVV-së dhe në koordinim me LDK e ka paraqitur, e që përmban tri pika.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë që do të rezultojë me njohje reciproke. Nën dy, Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Kosovës janë të pacenueshme, askush nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negocioj për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës. Nën tre, në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e gjykatës Kushtetutës është qeveria që ka mandatin të udhëheqë bisedimet me Serbinë”, tha ai./KP

DRAFTREZOLUTA

  1. Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.
  3. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë.