Masat për coronavirusin – Kurti: Vendimet e marra sot vlejnë për gjithë territorin e Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti në konferencën e cila u mbajt pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Qeverisë së Kosovës në lidhje me masat e shtuara pas konfirmimit të dy rasteve të para me coronavirus, tha se vendimet e marra sonte vlejnë në gjithë territorin e Kosovës edhe në ato në veri të Mitrovicës.

“Unë po përgjigjem në pyetjen tuaj të parë ne marrim vendime për Republikën e Kosovës në gjithë territorin e saj pra pavarësisht përkatësisë etnike apo përbërjes së vendbanimeve natyrisht që kemi ligje që tregojn ë se cfarë bëhet e ndodh atëherë kur shkelen atë por ne nuk e mendojmë këtë vetëm si dorë e fortë e ligjit të shtetit por edhe si dorë e ndihmës së institucioneve të shtetit sidomos të shëndetësisë, pra ashtu qysh vlejnë ligjet për të gjithë njësoj edhe ndihma shëndetësore vlen për të gjithë”, tha Kurti për KALLXO.com.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha edhe se vendimet e marra vlejnë edhe për shërbimet shëndetësore publike por edhe private.

“Edhe sipas ligjit sistemi shëndetësor në Kosovë është unik dhe të njëjtat parime vlejnë edhe për institucionet publike ashtu edhe për private, ne edhe në qarkore informuese që kemi dërguar në institucione shëndetësore për masat që duhet ndërmarrë janë dërguar edhe në institucione publike edhe private”, tha Vitia.

Gjatë ditës së sotme në një konferencë të jashtëzakonshme, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia konfirmoi dy raste pozitive me coronavirus. Gjithashtu në mbledhjen e qeverisë u miratua rekomandimi për ndalimin e hyrje-daljeve në qytetet e Klinës dhe Vitisë.

Në anën tjetër, Drejtorët e Shëndetësisë të dy qyteteve që kanë nga një të prekur me coronavirus i kanë konfirmuar KALLXO.com se një fshat në Viti është izoluar dhe një qendër me fëmijë të braktisur në Klinë është izoluar pas kontaktit me personat e prekur me coronavirus.