Thaçi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me masat ndaluese të qeverisë

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të interpretojë kushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë për kufizimin e lirisë së qarkullimit të qytetarëve pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si masë luftimi kundër COVID-19.

“Ju informoj se duke marrë parasysh rrethanat e reja të krijuara pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendim antikushtetues, si president i vendit duke respektuar në tërësi kompetencat kushtetuese dhe ligjore kam vendosur t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese në kërkesë për interpretim të çështje së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”, tha Thaçi.

Në bazë të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës në luftën për parandalimin e koronavirusit të ri, thuhet se që nga data 24 mars e vitit 2020, ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 10:00 e deri në orën 16:00, si dhe prej orës 20:00 e deri në orën 06:00.

Në orët kur mundësohet lëvizja në rrugë, më shumë se dy persona nuk do të lejohet të lëvizin së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.

Ndalimi i qarkullimit, sipas Qeverisë së Kosovës, nuk vlen: për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), si dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).

Qeveria ka vendosur masë ndalimi për tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura.

Këto masa u kundërshtuan pak minuta pasi u vendosën në qeveri nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se kufizimi i lirisë së lëvizjes mund të bëhet vetëm nëse paraprakisht shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Në të njëjtin mendim me Thaçin ishte edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës dhe ish-kryeministri dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi kundërshton masat e qeverisë për kufizim të lirisë së lëvizjes
Ndërkohë që ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, e ka cilësuar thirrjen e presidentit për mosdëgjueshëmri ndaj vendimit të qeverisë, si shqetësues.

“Zyrtarët që bëjnë thirrje për moszbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon. Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin”, ka shkruar Sveçla.

Ai shtuar që qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe t’i zbatojmë masat e vendosura nga qeveria.

Qeveria e Kosovës po funksionon në rrethana jonormale, jo vetëm për shkak të gjendjes me pandeminë e COVID-19, që po shqetëson gjithë botë, por edhe për faktin se partitë e koalicionit tashmë kanë refketuar çarje të mëdha.

Më 17 mars, presidenti Thaçi propozoi një dekret për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila tha se do t’i dërgohet kuvendit për miratim. Megjithatë, deputetët nuk kanë pranuar ende një dekret të tillë.

Kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke argumentuar se institucionet po menaxhojnë situatën me koronavirusin.

Për shkak se kishte mbështetur idenë e presidentit Thaçi për gjendjen e jashtëzakonshme, Kurti shkarkoi Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. Lidhja Demokratike e Kosovës – parti në koalicionin qeverisës – po përkrah masa të jashtëzakonshme për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

LDK-ja dhe opozita të vendosura ta votojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë
Aktualisht LDK është në proces të nxjerrjes në votim në Kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, me çka pretendon t’i jap fund bashkëqeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje.

Top Channel