Angela Merkel i premton ndihmë Kosovës për koronavirusin

Shpërndaje

Kancelarja Angela Merkel e cila sot doli negativ në koronavirus ka premtuar ndihmë për Kosovën në luftimin e pandemisë globale.

Merkel, e cila u vetëizolua në shtëpinë e saj pasi mjeku që i dha vaksinën kundër pneumonisë doli pozitiv në koronavirus, komentet i bëri në një video-bisedë me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit për media nga qeveria gjermane, Berlini zyrtar premtoi ndihmë për Kosovën në luftën kundër koronavirusit.

“Temat kyçe të bisedës, ishin masat që po merren në frenimin e koronavirusit, pastaj në veçanti çështjet bilaterale dhe ato të politikës rajonale të jashtme dhe asaj europiane”.

Po mos të ishte situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit kryeministri Albin Kurti kishte planifikuar që gjatë muajit mars të vizitonte Berlinin dhe të takohej me kancelaren Angela Merkel.

Ky do të ishte takimi i parë i kancelares Merkel dhe kryeministrit Albin Kurti që mori detyrën muajin e kaluar.

Kosova deri më tani ka regjistruar 61 raste me koronavirus.