Thaçi i pret n’konak liderët e partive politike

Shpërndaje

Sot i takova liderët politikë për t’i njoftuar për vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara dhe për të diskutuar për nevojën e bashkërendimit të hapave tanë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që duhet të përfundojë me njohje të Kosovës dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Takimi me ish-kryeministrin dhe liderin e LDK-së, z. Isa Mustafa, ishte i shkëlqyer. Ne u pajtuam se duhet të ndërtojmë dhe ruajmë qëndrim të përbashkët në çështjet me rëndësi për shtetin. I jam mirënjohës z. Mustafa dhe LDK-së që gjithmonë kanë qenë konstruktivë në çështjet e shtetndërtimit.

Shkëmbim të dobishëm kisha edhe me ish-kryeparlamentarin dhe liderin e tashëm të opozitës, z. Kadri Veseli. Qëndrimi i unifikuar i opozitës dhe qeverisë është thelbësor për realizimin e çështjeve të interesit të përbashkët.

Bisedë konstruktive ishte edhe ajo me ish-kryeministrin dhe liderin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, i cili gjithashtu i dha përkrahje përpjekjeve për të ndërtuar qëndrim të përbashkët në çështjet e interesit shtetëror dhe e vlerësoj kontributin e tij në këtë drejtim.

Me ish-zëvendëskryeministrin dhe liderin e NISMA-s, z. Fatmir Limaj, u pajtuam që për Kosovën të flasim me një zë, sidomos në çështjen e dialogut me Serbinë.

Takim konstruktiv pata edhe me ministrin z. Dalibor Jevtiq, si dhe kryetarin dhe deputetin z. Goran Rakiq nga Lista Serbe. Roli i komunitetit serb është i rëndësisë së veçantë në ndërtimin e shtetit shumetnik dhe në arritjen e marrëveshjes historike në mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe në takim me grupin 6 Plus dhe deputetët e komuniteteve tjera u konfirmua se përmirësimi i jetës së qytetarëve është interes i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë i hapë rrugë zhvillimit dhe përmirësimit të mirëqenies qytetare. Paqja është në interesin e të gjithëve.

Të njëjtin mesazh, nevojën për unitet politik, e kam marr edhe nga ish-presidenti dhe kryetari i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, me të cilin kisha një bisedë telefonike, pasi e kishte të pamundur të merrte pjesë në takim personalisht. HTH