Virusi Korona rrezikon miratimin e protokollit të NATO-s

Shpërndaje

Pandemia, COVID 19, mund të arsyeja e radhës për pezullimin e pacaktuar të anëtarësimit të plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në NATO. Jozyrtarisht, pritej që brenda dy javëve të ardhshme në Spanjë të përfundonte procedura e ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO dhe pas kësaj të depozitohej në Ëashington, me ç’rast vendi edhe zyrtarisht do të bëhej anëtarja e 30-të e aleancës ushtarako-politike. Megjithatë rrumbullakimi i procedurës në Madrid u bë e paqartë, që kur të infektuarit e një deputeti me COVID 19 rezultoi me pezullimin e gjithë Dhomës së epërme të Parlamentit spanjoll të paktën deri të martën e ardhshme. Ndërsa pikërisht kjo dhomë legjislative do të duhej t’i jepte protokollit dritën jeshile.

Bashkimi Evropian gjithashtu ka anuluar shumë takime ministrash, ndërsa ato të domosdoshmet po i realizon online. Rrjedhimisht mbetet të shihet nëse ditët në vijim Brukseli do t’i shtyjë ose anulojë takimin e Këshillit të Përgjithshëm dhe atë të Këshillit Evropian, ku, mes tjerash, pritet të diskutohet edhe për metodologjinë e zgjerimit të BE-së dhe fillimin eventual të negociatave me Shkupin dhe Tiranën. Gjithsesi, nga Këshilli Evropian konfirmojnë për Alsat se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim plani.

Sa i takon Këshillit Evropian, mundem vetëm t’i referohem deklaratës së fundit të Presidentit, Mishel nga dita e martë. Presidenti konfirmoi se e ka për qëllim ta realizojë samitin e 26 dhe 27 marsit në Bruksel – tha Ester Arauzo, Këshilli Evropian.

Edhe Bruno Lopandic nga Këshilli i Përgjithshëm thotë se akoma nuk ka vendim për shtyrje ose anulim të takimit të 24 marsit të Këshillit të Përgjithshëm e as për Samitin e Zagrebit të caktuar për në fillim të majit, por se megjithatë nuk mund të parashikohet se çfarë mund të ndodhë ditët në vijim. Në një linjë me të është edhe përgjigja e ambasadorit francez në vend, Kristijan Timonie.

Situatat që vijnë si pasojë e këtyre ngjarjeve na bëjnë të mendojmë sa më arsyeshëm që është e mundur. Mendojmë po ashtu edhe për etapat e mëtejshme të vendit tuaj, në mënyrë që të keni një qeverisje solide dhe legjitime – u shpreh Kristijan Timonie, Ambasador i Francës.

Ndërkohë po vihen në pikëpyetje shumë takime gjeostrategjike të nivelit të lartë, derisa shumë shtete po ndalojnë udhëtimin në shtete të tjera, përfshirë edhe SHBA-në, Presidenti i së cilës, Donald Trump ndaloi udhëtimin në dhe nga 26 shtete evropiane për 30 ditë.