ASH: Të hapen bizneset dhe të bëhet ristrukturimi i shkurtimit të shpenzimeve publike, Qeveria të mos kërkojë mjetet e financimit të masave tek qytetarët

Shpërndaje

Efektet ekonomike dhe financiare të cilat dalin nga pandemia Covid 19 janë shumë të mëdha dhe paraqesin një shqetësim serioz për të ardhmen ekonomike të vendit. Kjo pandemi ndikimin e saj e shtrin përmes dy anëve, njëra anë është kolapsi i ofertës agregate si rezultat i masave për mbrojtje nga koronavirusi që rezultoi me mbylljen e ndërmarrjeve dhe shumë reparteve prodhuese dhe nga ana tjetër kemi një tkurrje shumë të rëndësishme të kërkesës agregate e cila ishte si rezultat i pushimit të një numri shumë të madh të punëtorëve nga puna dhe si rrjedhojë kemi një zvogëlim të kërkesës për mallra dhe shërbime që do të thotë zvogëlim të konsumit.

Më e keqja është se efektet negative ekonomike dhe financiare do të ndihen në pjesën e dytë të vitit për shkak të zvogëlimit të investimeve dhe zvogëlimit shumë të rëndësishëm të remitencave ose të dërgesave nga jashtë.

Elmi Aziri nga departamenti i financave pranë Aleancës për Shqiptarët sot foli pikërisht për pasojat nga masat ekonomike, si dhe propozoi disa masa të reja ekonomike.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore pritet që në kontinentin e Evropës të kemi zvogëlim në masë 28% të remitencave nga jashtë që do të thotë fluks më i vogël monetar për 28%, që për ekonominë tonë kanë rëndësi të veçantë.

“Aleanca për Shqiptarët në vazhdimësi ka propozuar masa ekonomike dhe financiare, prandaj edhe sot dalim me një kontribut modest me qëllim të ballafaqimit sa më të suksesshëm në këtë gjendje. Bëjmë thirrje për implementimin ose marrjen parasysh të masave tona të reja.

Për shkak të lehtësimit gradual të masave propozojmë lirim të masave për lëvizje të lirë të biznesit për shkak se sa më gjatë që janë të mbyllur, pasojat ekonomike do të jenë më të mëdha prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fillojë në mënyrë urgjente me lirimin e lëvizjes së bizneseve, natyrisht duke i pasur parasysh të gjitha masat mbrojtëse, si dhe distancën sociale për mbrojtje nga virusi.

Masa e dytë ka të bëjë me sigurimin e kostove minimale operative të bizneseve. Ne e dimë që shumë biznese, e veçanërisht ato të gastronomisë objektet e tyre i paguajnë me qera, dhe në kohën kur nuk ka qarkullim të shërbimeve të tyre natyrisht se kjo paraqet barrë financiare. Duke qenë se nga kriza më të prekura do të mbesin pikërisht gastronomia dhe hoteleria konsiderojmë se kjo masë do të jetë një ndihmesë sinjifikante për përballimin e kësaj krize. Qëllimi ynë është që të gjitha këto biznese aq sa është e mundur të mbahen në treg sepse largimi i bizneseve nga tregu paraqet vështirësi plotësuese pastaj që të njëjtit të kthehen në pozitat e mëparshme.

Masa e tretë ka të bëjë me mobilizimin financiar dhe ky mobilizim financiar të kanalizohet në ekonominë reale, respektivisht të kanalizohet aty ku është më se e nevojshme për arsye se vetëm në këtë mënyrë mobilizimi financiar mund të jep efektet në ekonomi, pra paraja do të duhet të shkojë aty ku është më se e nevojshme dhe ku do të ketë efikasitetin më të madh.

Moment tjetër që duam të potencojmë është masa e katërt. Ne bëjmë thirrje që Qeveria përkatësisht Ministria e Financave më me seriozitet t’i qaset shkurtimit të shpenzimeve publike. Propozimi i qeverisë për shkurtim për 3% të shpenzimeve publike konsiderohet si pakujdesi ekstreme e qeverisë ndaj situatës së krijuar për arsye se të gjithë indikatorët flasin se ne do të kemi rënie serioze të të hyrave buxhetore dhe këtë rënie serioze ky 3 përqindësh që përafërsisht përkthehet në 100 milion euro është i pamjaftueshëm” tha Elmi Aziri, kryetar i departamentit të financave.

Veç tjerash ai tha se në këtë aspekt duhet qasje më serioze në ristrukturim të shpenzimeve publike gjithnjë duke u fokusuar në efikasitetin e shpenzimeve publike duke i shkurtuar shpenzimet publike në masë të nevojshme, natyrisht duke filluar nga të gjitha shpenzimet joproduktive, shpenzimet e luksit, shpenzimet që dalin nga marrëveshjet e kontratave në vepër duke i parandaluar sigurisht edhe punësimet partiake që është dukuri e zakonshme në RMV dhe në këtë mënyrë t’i ndihmohet konsolidimit fiskal sa më të mirë.

“Në kuadër të masave ne propozojmë që për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në kuadër të zvogëlimit të kostove operative Qeveria të merr një vendim që shpenzimet për energji elektrike nga tarifa industriale të llogaritet me tarifën e amvisërive. Konsiderojmë se shpenzimet për energji elektrike paraqesin pjesën më të madhe të shpenzimeve operative që i kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” shtoi Aziri.

Meqenëse gradualisht po futemi në pjesën e dytë të vitit, Aziri theksoi se Aleanca për Shqiptarët me urgjencë kërkon nga qeveria që të përpilojë një program dinamik, serioz dhe vëllim të nevojshëm të investimeve publike dhe kapitale në mënyrë që të jep kontributin e tij edhe sektori publik në nxitjen e kërkesës agregate.

Aleanca për Shqiptarët propozon që këto masa lehtësuese të bëhen përmes burimit të financimit nga borxhi publik. “Pra ne bëjmë thirrje që rritet deficiti buxhetor dhe të rritet borxhi publik për arsye se ekonomia jonë ka nevojë për kapita të freskët, nuk kemi nevojë që të bëjmë zhvendosjen e parasë e cila gjendet brenda vendit nga një pronar në pronarin tjetër” theksoi Elmi Aziri.

Ai theksoi se rritja e akciza të naftës nuk është masa e duhur për arsye se në mënyrë të drejtpërdrejt e godet standardin e qytetarëve dhe në një far forme ndikon në kapacitetin e tyre financiar.

Kjo nuk është rritja e parë prej 3 denarëve nga po kjo qeveri, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se burimet e financimit të masave të cilat i propozon qeveria nuk do të duhej të kërkohen te qytetarët por, do duhej t’i shfrytëzohen institucionet financiare ndërkombëtare me kalkulime të sakta në mënyrë që ta furnizojmë ekonominë me të gjitha mjetet e nevojshme në mënyrë që t’i kthehet realitetit.

Aziri potencoi se Aleanca për Shqiptarët gjithashtu kërkon nga qeveria transparencë maksimale për të gjitha mjetet që i huazon, për kushtet dhe kriteret e huazimit, normat e interesit të huazimit dhe në veçanti të ketë transparencë maksimale në destinimin e këtyre mjeteve.