Regjistrohen 14 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Shpërndaje

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e qytetarëve të prekur nga pandemia globale e COVID-19 në Shqipëri.

Me anë të një komunikate për medie, Marjeta Dervishi e Institutit të Shëndetit Publik, tha se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 231 teste, prej të cilave 14 kanë rezultuar pozitivë.

Që nga konfirmimi i rastit të parë dhe deri tani, numri i të prekurve në Shqipëri nga pandemia e Coronavirusit ka shkuar në 562 persona.

“Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive. Në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar me COVID-19, prej të cilëve 35 janë personel shëndetësor. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 1 është personel shëndetësor në Shkodër. Nga rastet e reja 7 i përkasin Krujës, 5 raste në Tiranë, 2 raste në Shkodër. Deri në këto momente janë testuar 5542 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 562 raste, pra rreth 10% e të gjithë të testuarve. Kjo shifër tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën. Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarëve, duke e çuar numrin e të shëruarëve nga COVID-19 në 314”, tha ajo.