Turqia dërgon avion ambulancë për evakuimin e shtetasit të saj në Suedi të prekur me COVID-19

Shpërndaje

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca i ka dhënë përgjigje thirrjes për ndihmë që publikuan në rrjetin social Samira dhe Leyla Gülüşken, vajzat e 47-vjeçarit Emrullah Gülüşken që banon në qytetin Malmö të Suedisë, i cili u dërgua në shtëpi pa u trajtuar edhe pse ai rezultoi pozitiv në testin e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Vajza Samira Gülüşken në rrjetin social bëri një postim në të cilin shkroi: “Jetojmë në Suedi bashkë me familjen. Babait tim 11 ditë më parë iu rrit temperatura dhe filloi të kishte probleme në frymëmarrje. U shqetësuam dhe telefonuam spitalin por fatkeqësisht nuk erdhën dhe na anashkaluan. I telefonuam për disa herë çdo ditë por nuk erdhën”.

Ndërkohë edhe Leyla Gülüşken nëpërmjet një video-regjistrimi bëri thirrje duke e postuar në rrjetin social, thirrje kjo e cila bëri jehonë në median sociale.

– Ministri i Shëndetësisë, Koca jep udhëzim për dërgimin e avionit ambulancë

Pas kësaj familja Gülüşken u kontaktua nga Ambasada turke në Stokholm dhe Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB). Ndërkohë që ministri Fahrettin Koca pasi telefonoi vajzën Samira Gülüşken mori informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të babait të saj 47-vjeçar, Emrullah Gülüşken.

Ministri Koca pasi i shprehu shërim të shpejtë dha udhëzimin për evakuimin në Turqi me avion ambulancë të Emrullah Gülüşken bashkë me 4 fëmijët e tij. Lidhur me këtë mësohet se babai Gülüşken do të evakuohet nga Suedia në qytetin Antalya bashkë me fëmijët e tij Samira, Leyla, Emir Ali dhe Mahmut.

– “Babai u diagnostifikua me COVID-19 dhe pavarësisht kësaj e dërguan në shtëpi”

Leyla Gülüşken në një deklaratë për AA tha se babai i saj u sëmur para 13 ditëve dhe nuk morën një përgjigje pozitive pavarësisht se telefonuan spitalin.

“Situata e babait filloi të bëhej serioze dhe telefonuam sërish spitalin. Pasi mjeku erdhi në shtëpi ai kontrolloi babain dhe kërkoi që të telefonohet ambulanca dhe të shtrohet në spital. Pas dërgimit në spital babai u diagnostifikua me COVID-19. Pavarësisht kësaj ata e dërguan në shtëpi babain”, tha Gülüşken.

Ajo tha se nuk mundën të merrnin ndonjë rezultat pozitiv pavarësisht se iu drejtuan sërish spitalit. “Dje babait iu përkeqësua pak gjendja dhe telefonuam ambulancën e cila erdhi dhe na foli ashpër përse e telefonuam. Ata na thanë se nuk mund të bënin gjë për këtë sëmundje. Ndërkohë edhe ne u thamë se kjo sëmundje nuk ka trajtim por se babai duhet të shtrohet në spital dhe se ai rrezikon shëndetin tonë”, thotë mes tjerash Gülüşken.