Humb shtëpinë në veri, çifti jeton nën urën e Ibrit

Shpërndaje

Pranë kontejnerëve të plehrave dhe qenëve, kanë ndërtuar ‘strehën’ e tyre me mjete rrethanore, ku ‘prizmi shtëpi’, është vendosur nën urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë. Çifti Cerroviku i martuar para tetë vitesh dhe nuk ka ende fëmijë. Ata qëndrojnë në dhomën e improvizuar mbi beton, derisa rrëfyen vuajtjet e jetës dhe fatin e tyre të trishtë. Ata çdo fjalë që përcjellin nga goja e shoqërojnë me lotë, teksa varfëria sikur nuk ju pengon që kafenë e mëngjesit ta pinë së bashku gjithmonë.

Bashkim Cerroviku 52 vjeçar, me origjinë nga fshati Cerrovik i komunës së Klinës, por që para luftës ka jetuar në veri të Mitrovicës, tregoi për KP vuajtjet e jetës nën urë së bashku me bashkëshorten e sëmurë, si dhe frikën nga qentë, për të cilët tha se po ua hanë ushqimin dhe rrobat. Ai rrëfeu për shtëpinë e tij në veri të rrënuar gjatë luftës, ku tashmë serbët kanë ndërtuar ndërtesë shumëkatëshe, ndërsa tha se mbetet gjallë nga puna e mbledhjes së kanaqeve nga kontejnerët e bërllokut. Lotët nuk i përmbajti kur përmendi nevojën e madhe për një shtëpi të vogël. Sipas tij, nëna e sëmurë dhe e shtyrë në moshë, e cila jeton në një banesë të vogël në Trepçë me kunatën dhe dy djemtë e vëllait, ka kushte poashtu shumë të rënda dhe nuk ka vend.

“Jam vetëm me grua, shtëpinë e kemi pasur në pjesën veriore, bash te rruga e Kolashinit. Ma kanë rrëzuar barakën…Ia patën dhënë nënës komuna, nëna mezi e ka nxjerr banesën. Tash e kanë rrënuar, s’po kemi ku…Vallahi që dy muaj e gjysmë jemi këtu, mbaruam, s’po kemi nga me ia mbajt. Gruan e kam të sëmurë prej epilepsisë dhe s’ka shërim askund. Kjo lyp tek Emona Center, unë nëpër kanta kanaqe hekra sa me mbet gjallë…Qentë po na hanë bukën, kështu që njëri po duhet me ndejt zgjuar gjithnjë.…

E kam nënën dhe motrat e martuara larg, në Likoc e Klinë të Begut… Tash ia kanë dhënë nënës një banesë në Trepçë…Vallahi nuk ka vend, s’i ka kushtet, sepse kush e kishte lënë evladin e vet në rrugë, vec nuk ka kushte…Ajo jeton në banesë me kunatën dhe me dy djemë të vëllait…100 sëmundje i ka nëna, është 88 vjeçare”, tregoi Cerroviku. Ai shtoi se ka kërkuar shumë herë ndihmë nga komuna, por pa sukses, ndërsa sqaroi se kur duhet pastruar shkojnë herë te miqtë e herë tek nëna e tij. Cerroviku apeloi të gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë dhe që kanë mundësi, që t’iu ndihmojnë në ndërtimin e një shtëpie sado të vogël. “Kam qenë 100 herë dhe jam lajmëruar në komunë…S’po kemi një teshë ku me la, as veten, veç në Ibër tash sepse s’kemi ku. Herë po duhet me shku tek miqtë, herë te nëna në Trepçë. Këmbë jemi shku një orë e gjysmë në Trepçë me u pastru shoqja. Ku me u la, ku me i la teshat. Veç Zoti na ka ruajt sepse ky virusi na kishte rënë ose neve ose askujt…

I lus krejt vëllezërit shqiptarë, kush ka mundësi një shtëpi sa troha me na bë, sa një kolibë të qenit, veç me hy diku, e mos me mbet me grua të sëmurë rrugëve, nën urë të Ibrit. Ju lutem për hatër të Zotit”, theksoi Cerroviku. Ndërkaq, edhe bashkëshortja Vahidja 35 vjeçare nga fshati Batahir i Shalës së Bajgorës, e cila vuan nga epilepsia, rrëfeu për frikën nga qentë dhe gjithçka tjetër. Sipas saj, 75 euro të pensionit që merr nuk i dalin as për ilaçe, andaj detyrohet të kërkojë lëmoshë. “Jetoj me burrë këtu që dy muaj e gjysmë. Jam e sëmurë nga epilepsia…Po kemi frikë nga qentë, e besa edhe prej gjithçkaje tjetër…Jetoj me pension 75 euro, por duhet me ble ilaçe, kështu që pensioni nuk po më del as për ilaçe…Unë lypi para Emonës, burri del nëpër kanta të bërllokut…I kam dy vëllezër, janë me gratë e tyre, por edhe ata i kanë punët holl, jetojnë me social…Po kemi qenë në komunë me kërku për shtëpi. Ata po thonë nuk po kemi buxhet me ju ndihmu, çka me bë, po duhet me ndejt këtu…Ju kisha lutë vëllezërve e motrave tona me na ndihmu”, tha ajo. Kp ka provuar për dy ditë me radhë të kontaktojë me përgjegjësit komunalë rreth këtij rasti, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i qasshëm.