Katari i dhuron Maqedonisë së Veriut 8.5 tonë pajisje mjekësore

Shpërndaje

Ndihma mjekësore nga Katari për të mbështetur luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19) ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Donacioni nga Katari u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe zv/ministri i Shëndetësisë, Armend Arsllani, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga ushtruesi i detyrës ambasador i Katarit në Shkup, Hamad Jassim Al-Mahmoud.

Donacioni nga Katari përbëhet nga 500 mijë maska kirurgjikale, si dhe rreth 80 mijë maska të tipit N95 dhe FFP2.

Për mediat foli zv/kryeministri Osmani, i cili tha se donacioni nga Katari do të përdoret nga institucionet shëndetësore të vendit.

“Bëhet fjalë për pajisje të mira shëndetësore për sa i përket maskave kirurgjikale, por edhe maskave që përdoren nga mjekët në njësitë e kujdesit intensiv”, tha Osmani, duke shtuar se donacioni është për të plotësuar nevojat e punonjësve shëndetësorë dhe jo vetëm për këtë periudhë, por për një periudhë më të gjatë.

Siç tha Osmani, ndihma mjekësore nga Katari është vetëm një pasqyrim i marrëdhënieve të mira dypalëshe midis dy vendeve.

Ambasadori Al-Mahmoud, nga ana e tij, njoftoi se ndihma është dërguar nën direktivat e Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

“Donacioni mjekësor përbëhet nga 8.5 ton pajisje mbrojtëse mjekësore të destinuara për mbrojtjen e stafit mjekësor të sistemit shëndetësor maqedonas, i cili punon ditë e natë për të trajtuar pandeminë e shkaktuar nga COVID-19”, tha Al-Mahmoud.

Ambasadori i Katarit në Shkup theksoi se kjo ndihmë konfirmon miqësinë e vërtetë midis Katarit dhe Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut deri më tani kanë raportuar 1.839 raste të konfirmuara me koronavirus, prej të cilëve 1.351 janë shëruar dhe 106 të vdekur.