LDK-ja e pranon vendimin e Kushtetueses, ja çka thotë për formimin e qeverisë

Shpërndaje

Gjykata Kushtetuese mori vendim për ta vendosur masën e përkohshme ndaj dekretit të Presidentit për mandatarin e ri të qeverisë së vendit.

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, deri më 29 maj, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e vendosur që, si edhe deri më tani, të respektojë në tërësi këtë vendim.

LDK-ja thotë se, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re.

LDK-ja mbetet e vendosur që, në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë Qeverinë e re.

“LDK-ja dhe partnerët dje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, të mbështetur nga 61 deputetë, sencë e cila do të mbahet pas vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, meqë LDK-ja është e bindur se procesi i mandatimit të z. Avdullah Hoti është bërë konform normës kushtetuese dhe kompetencave kushtetuese që ka Presidenti i Kosovës”, konsideron kjo parti.