Votimet në Maqedoni, nga ora 7 e mëngjesit deri ora 21 në mbrëmje për shkak të epidemisë

Shpërndaje

Liderët e partive politike parlamentare në Maqedoninë e Veriut javën e ardhshme do të realizojnë edhe një takim te presidenti Pendarovski, ku duhet të merren vesh për datën e zgjedhjeve. Sido që të jetë marrëveshja, është e qartë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zhvillohen nën masa të shtuara të sigurisë, për shkak të epidemisë Covid 19.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe ka njoftuar se janë përgatitur katër protokolle lidhur me fushatën parazgjedhore por edhe për ditën e zgjedhjeve.

Sipas këtyre protokolleve, gjatë aktiviteteve parazgjedhore do të jetë e obligueshme të ruhet distanca prej 2 metrave. Edhe aktivistët partiakë që do të zhvillojnë fushatë “derë më derë” do të jenë të obliguar të mbajnë distancë të sigurtë nga qytetarët.

Në ditën e zgjedhjeve anëtarët e Këshillave Zgjedhore do të mbajnë maska, kurse në hapësirat ku votohet nuk do të mund të ketë më shumë votues se sa vende votimi.

Për këtë arsye supozohet se procesi do të jetë më i ngadalshëm, prandaj ka gjasa të mëdha që procesi i votimit të mos përfundojë në ora 19 i zakonisht, por të vazhdojë deri në ora 21, thonë burime qeveritare të Gazetës Lajm.

Edhe vetë ministri i shëndetësisë Venko Filipçe sot nuk ka përjashtuar mundësinë që shkaku i masave të jashtëzakonshme të vazhdohet orari i votimit.

Ai poashtu tha se dritaret e vendvotimeve do të jenë të hapura, kurse qytetarët do të votojnë me maska, të cilat do t’i heqin shkurtimisht vetëm sa për t’u identifikuar para këshillit votues.
Kryetarii LSDM-së, Zoran Zaev, mbrëmë ka paralajmëruar se ndoshta për çdo qytetar shteti do të sigurojë nga një stilograf të veçantë për votim.