KSHZ-ja e pret Dekretin qeveritar për vazhdimin e aktiviteteve zgjedhore

Shpërndaje

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) e pret zyrtarisht Dekretin me fuqi ligji të miratuar mbrëmë nga Qeveria teknike, me të cilin vazhdohen aktivitetet zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski për MIA-n tha se nuk do të donte si person i parë i Komisionit ta komentojë Dekretin para se ta sheh dhe se zyrtarisht ai dhe anëtarët e Komisionit do të komentojnë kur ta shohin përmbajtjen e tij.

Derkoski, i cili u delegua nga opozita OBRM-PDUKM, duke shprehur mendimin e tij personal, tha se me Dekret nuk mund të rregullohen normat që janë rregulluar tashmë me Kodin Zgjedhor. Dekreti me fuqi ligji, shtoi ai, zgjat për sa kohë që zgjat gjendja e jashtëzakonshme. Derkoski përsëriti se nuk do të lejojë të punojë në mënyrë të paligjshme. Sidoqoftë, ai thekson se para çdo gjëje tjetër, do të presë për ta parë Dekretin.

Anëtarët e KSHZ-së, sipas informatave të MIA-s janë në Komision dhe presin që ta marrin Dekretin, pasi të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe të mbajnë mbledhje për të rënë dakord për aktivitetet e mëtutjeshme të Komisionit në përputhje me këtë Dekret.

Boris Kondarko, anëtar i Komisionit i propozuar nga LSDM-ja, në bisedën për MIA-n gjithashtu nuk dëshironte të flasë për Dekretin, por theksoi se KSHZ-ja është një institucion që duhet ta zbatojë ligjin. Sipas Rregullores së punës, shton ai, kryetari i Komisionit është ai që i thërret seancat dhe pritjet e tij janë që gjatë ditës ata të mblidhen për të rënë dakord për aktivitetet e ardhshëm sipas afateve të caktuara që rrjedhin nga Dekreti, i cili, siç thekson, “së pari duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare”.

“Dekreti përcakton që KSHZ-ja të dhënat për këta persona i shënon në listën zgjedhore sipas detyrës zyrtare. Sipas dekretit, Gjykatat themelore dhe Zyra me librat amë brenda tre ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij dekreti me fuqi ligjore, janë të detyruar t’i dorëzojnë deri te KSHZ-ja të dhënat për qytetarët, përfshirë ditën e hyrjes në fuqi të këtij dekreti me fuqi ligji”, sqaruan nga Qeveria.

Deri këtë mëngjes, Dekreti me fuqi ligji i miratuar në seancën e mbrëmshme nuk u publikua në Gazetën Zyrtare.