Thaçi shkon në dialogun e drejtuar nga SHBA, ia lë Qeverisë atë nga BE (Video)

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se do një ekip më të gjerë në përfaqësim në dialogun me Serbinë duke shtuar se ai do të kryejë vetëm atë funksion që ia lejon Kushtetua dhe ligjet e vendit.

“Do të jem i përfshirë në bazë të mandatit tim ligjor, as më pak as më shumë. Çdo marrëveshje që arrihet duhet të vijë në Kuvemd. Ne do ta plotësojmë njëri-tjetrin dhe do të kemi një koordinim të mirë. Garë s’kemi mes nesh por përballë Serbisë. Në moment që vijnë ftesat është gjithçka e qartë. Kushtetua dhe ligjet e vendit janë të qarta, pra duhet të jenë bartësit e institucioneve”.

Por, Thaçi në Rubikon të Klan Kosovës bëri thirrje që përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të ndryshojë qëndrim për Kosovën. Madje, ai tha se do të jetë në tryezën e dialogut ku ndërmjetësues është SHBA, ndërsa Qeveria në atë ku udhëhiqet nga BE.

“Aty ku do të udhëhiqet një proces politik nga SHBA-ja, unë do të jem. Aty ku do të ketë proces nga Bashkimi Europian apo nga Lajçak atëherë natyrisht se i jepet mundësia Qeverisë që të punojë për interesa të shkojë Qeveria ku punon për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe hapësirave të tjera”.

Thaçi tha se s’beson që Lajçak do të sjellë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa për SHBA-në u shpreh i sigurt për këtë gjë.

“Lajçak s’e ka atë mbështetje për të lëvizuar përpara procesin për njohje reciproke. Ai duhet të dijë se vjen në Kosovë në një vend të pavarur dhe sovran dhe jo në një vend me rezolutën 1224. Duhet të punojmë ngushtë me SHBA-në dhe BE-në sepse destinacioni i ynë i vetëm është BE, por kjo duhet të jetë korrekte me Kosovën”.

“Lajçak duhet të jetë shumë i qartë para ardhjes në Kosovë dhe Serbi. Ardhja e tij pa vizion do të jetë një fiasko e tij që në start. Varet nga qasja e tij që do të ketë me Kosovën. Nëse s’e trajton Kosovën si vend të pavarur kam rezerva të mia nëse duhet të marr pjesë në atë proces. Unë duhet të di se ku po shkoj dhe për çka. BE duhet ta ndryshojë qëndrimin me Kosovën. Do ta shikoj platformën, sugjerimin e tij, dhe mbi bazën e leximit të asaj situate do të marr qëndrimin tim. Do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve”.

Thaçi po ashtu kushtëzoi një takim të mundshëm me Lajçakun në Prishtinë. Ai tha se nuk e refuzon askënd, por para takimit ai do të analizojë nëse ai takim do të jetë i frytshëm apo humbje kohe.

“Lajçak duhet të ketë qasje tjetër para vizitës. Ai duhet të vijë si përfaqësues i BE-së dhe jo si ministër i Jashtëm i Sllovakisë. Nëse vjen me dilema sikur të vendit të tij se çfarë vendi është Kosova”./klankosova