Vuçiq për Reuters: S’ka njohje reciproke me Kosovën

Shpërndaje

Por Serbia, e cila e sheh Kosovën si një djep të pandashëm të identitetit të saj kombëtar, ka bllokuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, së bashku me aleatët e saj Rusinë dhe Kinën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Reuters ka thënë se Serbia ishte e gatshme të bisedonte me Prishtinën “pa një afat kohor” dhe “me mirëbesim”, por që njohja e ndërsjellë nuk ishte në agjendë.

“Ne jemi gati për bisedime por …pa flamur të bardhë. Dialogu është i mirëpritur nëse është një dialog, në të cilin mund të shihet se çfarë është e mundur, çfarë kompromisi mund të bëhet”.

“Ne besojmë se është në interesin më të mirë të (Kosovës) shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar … të flasim për lëvizjen e lirë të kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve”.

“Bisedimet e sponsorizuara nga BE midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë një popullsi të konsiderueshme serbe që duan të qeverisen nga Beogradi, ngecën në vitin 2018 kur Kosova futi një taksë 100% të importit për mallrat nga Serbia. Heqja e barrierave tregtare nga qeveria e re e Kosovës këtë muaj hap rrugën për rifillimin e bisedimeve”, shkruan Reuters.

Vuçiq për këtë medium ka thënë se Serbia dëshiron lidhje të ekuilibruar me Perëndimin, Kinën dhe Rusinë dhe se është në përpjekje që të bëhet anëtare e BE-së, si dhe të arrijë një marrëveshje me Prishtinën.

Ai gjithashtu theksoi se Beogradi nuk planifikon të zgjedhë midis Rusisë – një aleat natyror sllav dhe ortodoks, BE – partneri kryesor i saj tregtar dhe Kina.

“Ne kemi agjendën tonë, një karrige, jo dy. Si mund të themi ‘rroftë Hong Kongu dhe rroftë Tajvan” dhe pastaj të presim mbështetjen kineze për integritetin tonë territorial? Për të mos përmendur se Kina është miku ynë që na ndihmoi”.

Vuçiq e përshkroi veten si një “Euro-realist”, duke shtuar se anëtarësimi në BE mbetet qëllimi strategjik i Serbisë: “Përveç vlerave të përbashkëta … 67% e shkëmbimit tonë tregtar është me BE-në”.