Zaev: Deri të shtunën ka mundësi për konsensus me opozitën për zgjedhjet

Shpërndaje

Deri të shtunën, kur përfundon gjendja e jashtëzakonshme, ekziston mundësi për marrëveshje për datë të zgjedhjeve mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, deklaroi lideri i partisë në pushtet, Zoran Zaev, i cili në konferencë për shtyp theksoi se dy partitë para ndërprerjes së komunikimit biseduan që zgjedhjet parlamentare të mbahen të mërkurën më 8 korrik, ndërsa të hënën dhe të martën paraprakisht të votojnë të sëmurët të cilët do të paraqiten për votim.

Zaev tha se do të kërkojë publikisht vazhdim për tre ditë të gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti i shtetit nëse VMRO-DPMNE dakordohet që zgjedhjet të mbahen më 8 korrik.

“Ndryshim të mundshëm për gjendjen e jashtëzakonshme mund të ketë për shkak të zgjedhjeve, nëse arrihet konsensus”, tha Zaev në konferencë për shtyp.

Nëse ka konsensus atëherë Qeveria do të mund të bëjë ndryshim në Kodin zgjedhor në mënyrë që të zbatohet votim në pajtim me masat dhe marrëveshjen.

Tani për tani, sipas liderit të partisë në pushtet, nuk ka mundësi për mbajtje të takimit të liderëve.

Nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhje më 8 korrik apo në përgjithësi marrëveshje për zgjedhje, sipas Zaevit, sipas Kushtetutës dhe ligjit është që zgjedhjet të mbahen më 5 korrik.

Lideri i partisë në pushtet Zaev thotë se numri i rasteve të reja me Kovid-19 në vend, është i rëndë për të gjithë qytetarët, duke paralajmëruar se gjithnjë derisa nuk ka medikament apo vaksinë, realisht nuk mund të presim që numrat të shënojnë rënie. Ai edhe njëherë tha se vendit i nevojitet Parlamenti, në rrethana, në të cilat, siç tha , nuk e dimë se kur do të kemi më pak raste.

“Nga ai aspekt pohojmë se është përgjegjësi dhe ndershmëri ndaj qytetarëve dhe shtetit sa më parë të shkohet në zgjedhje”, tha Zaev, i cili konsideron se në zgjedhje nuk duhet të shkohet, siç tha, në verën vonshme kur temperaturat janë shumë të larta.

Dikush thotë, aman, çka është me rëndësi 5 korriku, çka është 15 korriku. Është me rëndësi, edhe 6, edhe 7 janë të rëndësishëm. Po hyjmë në mesin e verës. Legjitimiteti i zgjedhjeve edhe ashtu do të pakësohet për shkak të përqindjes më të ulët të jehonës për shkak të koronës. Këtë e dimë të gjithë. Këtu tekstualisht qëndrojnë argumentet për të cilat edhe u bisedua. Është me përgjegjësi të merret pjesë në zgjedhje”, deklaroi Zaev.

Ai pohon se propozimi i tij ka qenë 5 korriku, ndërsa i liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski 15 korriku. Atëherë Zaev propozoi 8 korrikun dhe, siç pohon ai, pothuajse edhe u dakorduan kur Kickoski tha se kjo nuk vlen.

“Edhe sot edhe nesër janë ditët për bisedime. Unë jam njeri i cili njihet për arritje të marrëveshjeve. Bëj gjithçka për arritje të marrëveshjeve, por e tërë kjo nuk guxon të jetë në dëm të qytetarëve dhe të shtetit”, tha lideri i partisë në pushtet, Zoran Zaev./MIA