I thamë Ali Ahmetit ta kërkojë kryeministrin shqiptar kur i fitoi 20 deputetë, ai e votoi Gruevskin!

Shpërndaje

Në vitin 2014, kur BDl fitoi 20 deputetë, u bëmë bashkë disa ish bashkëveprimtarë. U gëzuam shumë nga kjo fitore dhe e pamë si rast të mirë që më në fund edhe në politikë, shqiptarët të marrim atë që e fituam në luftë. Shkuam te Ali Ahmeti, në shtëpinë e tij, jo në selinë e partisë. (Ishim betuar se pas lufte nuk do të përzihemi në asnjë parti politike).

Na priti ashtu siç na ka pritur gjithmonë. Ia uruam fitoren dhe biseduam gjerë e gjatë. Ia çelëm edhe temën e politikës. I thamë se ky është momenti më i shkëlqyer që të kërkojmë hisen tonë në shtetin Makedhoni.

“Çka të kërkoj?”, na pyeti Ali Ahmeti. “Tani i kam pozitat e forta politike, më duhet mendimi juaj se çka të kërkoj?”, na pyeti edhe një herë duke kërkuar këshillën tonë të sinqertë, si kur kërkon njeriu këshillë nga miqtë e vjetër.

“Kërkoje kryeministrin shqiptar. Pse jo?”, u përgjigj njëri prej shokëve që ishte me ne.

Toni i Ahmetit ndryshoi pak. Edhe fytyra e tij. U pa që Gruevskin e kishte pikë të dobët. Filloi me gjysmë arsyetime “po ndoshta ndërkombëtarët, NATO, BE,…!”.

Ia premë menjëherë fjalën. I thamë se NATO e BE, bile do ta përkrahnin, e jo t’a pengonin për të larguar një rusofil si Gruevski. Në atë moment Ali Ahmeti u ngrit në këmbë, na e zgjati dorën dhe na premtoi se do të kërkojë hiç më pak, e as më shumë, por kryeministrin shqiptar. Të njëjtën gjë na e premtoi edhe kur u ndamë duke marrë në gryk njëri tjetrin. Ne i premtuam përkrahjen e parezervë prej gjithë bashkëveprimtarëve në trevat tona.

U larguam me gëzim dhe me bindje se pas një kohe të gjatë, Ali Ahmeti, ose siç e njihnim Abaz Gjuka, u rikthye në vijën kombëtare.

Por gëzimi ynë nuk zgjati shumë. Të nesërmen mediumet shkruanin se bisedat mes BDl-së dhe VMRO-së po ecnin mirë, nën udhëheqjen e Sasha Mihallkovit. Nuk shkuan 4-5 ditë u publikua edhe marrëveshja për t’i nda postet. Prej “Kryeministrit shqiptar” që na e premtoi Ali Ahmeti, nuk kishte mbetur as shkronja “K”, më falni në shprehje.

E kërkova disa herë në telefon, nuk mu përgjigj. Vetëm njëherë e hapi njëfarë Artani i cili më tha se Ali Ahmeti është në takim me Gruevskin dhe menjëherë ma mbylli. Prej atëherë e kam kërkuar vetëm edhe një herë kur ndodhi lufta e Kumanovës. E thirra t’i them t’i shpëtojë djemtë e UÇK-së, por nuk ma çoi telefonin. Nuk e kam kërkuar kurrë më, e as që do e kërkoj ndonjëherë.

**************

Pse po rikthehem 6 vite mbrapa? Sepse po e përcjelli fushatën parazgjedhore të BDl-së dhe po i dëgjoj “kopallat” për kryeministrin e parë shqiptar. Po më dhimbsen ata shqiptarë që po i besojnë këtij premtimi të Ali Ahmetit. Sa shpejtë do të zhgënjehen. Ashtu siç na zhgënjeu neve në vitin 2014, njerëzve që dikur kishim nda edhe bukën e gojës bashkë me të. Kur nuk e bëri me 20 deputetv, si do e bëjë tani kur rejtingu i ka rënë aq shumë? Keni kujdes vëllezër. Po e përsëris edhe një herë se Ali Ahmeti e ka pikë të dobët Nikolla Gruevskin. Nuk e di pse, por ka diçka që i lidhë shumë fort. Prandaj do t’i bëjë të gjitha akrobacionet e mundshme politike për ta rikthyer Gruevskin jo vetëm në Makedhoni, por edhe në pushtet. Mos lejoni kjo të ndodhë me votën tuaj!

P.s.
Nuk ka nevojë të ma shkruani emrin. Ata që duhet ta dinë, e dinë fort mirë se kush jam!

Marrë nga lajmpress